Skip to content

U përkujtua aksidenti fatal në Tunelin Gotthard, në 25 vjetorin e tij

Me 11 viktima, zjarri i vitit 2001 konsiderohet aksidenti më i rëndë që ka ndodhur ndonjëherë në tunel.

Rreth 40 persona u mblodhën në portalin jugor të Tunelit Rrugor Gotthard të shtunën për një shërbim përkujtimor që shënoi 25-vjetorin e zjarrit në tunel. Dy kamionë ishin përplasur në aksidentin fatal që pati ndodhur më 24 tetor të vitit 2001, duke shkaktuar flakët, transmeton albinfo.ch. Njëmbëdhjetë persona humbën jetën.

Zjarri i vitit 2001 konsiderohet aksidenti më i rëndë që ka ndodhur ndonjëherë në tunel.

Aksidenti 25 vjet më parë ndodhi në mëngjes pranë portalit jugor në Airolo (Kantoni Ticino). Një nga kamionët e përfshirë në aksident mbante qindra goma makinash, të cilat e ushqenin më tej zjarrin, shkruan srf.ch.

Zjarri bëri që temperaturat në tunelin gati 17 kilometra të gjatë të rriteshin në më shumë se 1,200 gradë Celsius. Tymi i dendur u përhap, duke kufizuar rëndë shikueshmërinë. Shërbimet e emergjencës fillimisht patën vështirësi në afrimin e vendit të aksidentit. Dhjetë persona vdiqën nga thithja e tymit dhe një viktimë u dogj për vdekje.

Tuneli Rrugor i Gothardit, me rol qendror në trafikun ndërkombëtar nëpër Alpe

Tuneli Rrugor i Gothardit është një nga lidhjet më të rëndësishme të transportit në Evropë, që lidh veriun dhe jugun e kontinentit dhe luan një rol qendror në trafikun ndërkombëtar të mallrave dhe pasagjerëve nëpër Alpe.

Tuneli është pothuajse 17 kilometra i gjatë dhe lidh Göschenen-in në kantonin e Urit me Airolo-n në kantonin e Ticinos. Ai ka një tub me nga një korsi në secilin drejtim.