Kosova

“Marshi për Liri” mbahet sot në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Tubimi nis në orën 14:00 në sheshin “Skënderbeu”, katër ditë para shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Hagë

Në Prishtinë mbahet sot “Marshi për Liri”, i organizuar nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, përcjell albinfo.ch.

Marshi nis në orën 14:00 nga sheshi “Skënderbeu”, ndërsa organizatorët kanë ftuar qytetarë nga të gjitha qytetet e Kosovës që t’i bashkohen tubimit.

Protesta zhvillohet katër ditë para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli dhe ish-pjesëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Vendimi pritet të shpallet më 16 shtator.

Kush do të flasë në marsh?

Pjesa formale e tubimit do të hapet nga përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli.

Në mesin e folësve do të jenë edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetari i AAK-së, Ardian Gjini. Sipas organizatorëve, ata janë dy liderët e partive parlamentare shqiptare që kanë pranuar ftesën për të mbajtur fjalim.

Në emër të shoqatave të dala nga lufta do të flasë Hysni Gucati, ndërsa Liriona Sulejmani, vajza e dëshmorit Bajram Sulejmani, do të përcjellë mesazhin e familjeve të dëshmorëve.

Në marsh do të flasë edhe Buna Mustafa, vajza e Salih Mustafës, i njohur si Cali. Programi do të shoqërohet edhe me këngë patriotike.

Organizatorët kanë njoftuar se kanë siguruar transport me autobusë nga qytete të ndryshme të Kosovës për pjesëmarrësit e marshit.