Lajme

Linja hekurudhore Moutier–Sonceboz mbyllet për një vit, nis projekti 100 milionë frangash

Linja hekurudhore ndërmjet Moutier dhe Sonceboz-Sombeval në Zvicër është mbyllur për qarkullim për një vit, për shkak të një projekti të gjerë modernizimi që pritet të zgjasë deri më 4 shtator 2027.

Gjatë punimeve do të rinovohen rreth 10 kilometra binarë, 6 kilometra linja ajrore, 15 vendkalime hekurudhore dhe katër stacione. Gjithashtu, do të modernizohen sistemet e sigurisë dhe menaxhimit të trafikut.

Sipas Hekurudhave Federale Zvicerane (SBB), rreth 100 punëtorë do të angazhohen në projekt, ndërsa kostoja totale parashikohet të jetë rreth 100 milionë franga zvicerane.

Gjatë mbylljes, trenat do të zëvendësohen me autobusë, duke shkaktuar kohë më të gjata udhëtimi për mbi 2 mijë pasagjerë që përdorin linjën çdo ditë. Në Tavannes, udhëtarët kanë raportuar se duhet të nisen rreth 20 minuta më herët.

SBB thotë se vendimi për mbylljen e plotë të linjës për një vit është marrë për të përqendruar të gjitha punimet në një periudhë të vetme dhe për të kufizuar punën gjatë natës.

Në të njëjtën periudhë është ndërprerë edhe shërbimi hekurudhor i Jura Railways ndërmjet Tavannes, Tramelan dhe Les Reussilles.