Kosova

Gjashtë deputetë të LDK-së kundër Bekim Sejdiut president

Deputetët që votuan kundër: Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri

Pas takimit të grupit parlamentar të LDK-së, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se nuk ka unanimitet brenda partisë për Bekim Sejdiun. Kryetari i LDK-së tha se kësisoj po i bëhet dëm Kosovës, raporton rtklive.com.

“Bekim Sejdiu njihej si rugovist i jashtëzakonshëm. Si njeri që ka punuar me dinjitet. Në mënyrë unanime e gjithë kryesia votuan për kandidaturën e profesor doktor Bekim Sejdiut. Menjëherë pas kësaj mbledhjeje ne u bëmë ftesë deputetëve të LDK-së që ta mbështesin atë. Me keqardhje të madhe, 6 deputetë të LDK-së kanë vendosur kundër vendimit.

Në këtë fazë mendoj se i bëjnë dëm të gjithë procesit dhe në këtë mënyrë e dërgojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. Çdo palë zgjedhje që shkaktohen për shkak të kësaj do të jenë me pasoja. Në këtë fazë deklarimi është për figurën. Kam përshtypje se çdo emër që do të sillnim do të kishim një reagim të tillë”, ka shtuar ai.

Mësohet se, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri janë deputetët që votuan kundër.