Integrimi

Kuvendi i Shqiptarëve, i hapur për të gjithë

Cyrihu ka zgjedhur të dielën delegatët për t’i përfaqësuar shqiptarët e këtij kantoni në konstituimin e Kuvendit më 10 qershor në Bernë

Konstituimi i strukturave nga kantoni i Cyrihut për të përfaqësuar interesat e komunitetit në „Kuvendin e Shqiptarëve të Zvicrës“ ka qenë qëllimi i proklamuar i takimit zgjedhor të mbajtur të dielën, më 20 maj, në Cyrih.

Interesimi për të marrë pjesë ishte i vogël, edhe pse tubimi zgjedhor i së dielës në Cyrih ishte paralajmëruar një kohë të gjatë nga Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës.

Iniciatorët thanë se Kuvendi është i hapur për të gjithë, dhe se ftesat ishin publike për të gjithë të interesuarit.

“Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës”, i cili synon të përfaqësojë interesat e shqiptarëve të Zvicrës para institucioneve zvicerane dhe atyre të vendeve të prejardhjes nuk është konkurrencë e askujt dhe është i strukturuar në atë mënyrë që secili të ketë vend.

© albinfo.ch

Këto komente i bëri anëtari i Këshillit Mbikëqyrës i Kuvendit, Bedri Krasniqi.

“Kuvendi është i organizuar dhe ka vend për secilin, edhe për ata që kritikojnë”, ka thënë Bedri Krasniqi, duke folur për vizionet e Kuvendit para delegatëve të mbledhur në Cyrih.

Sipas tij, përfaqësimi i denjë i interesave të shqiptarëve në Zvicër nuk mund të bëhet nga individ, por në mënyrë të organizuar.

“Reagimet e Kuvendit ndaj diskriminimit të shqiptarëve tregojnë qartë se sa i organizuar është ky subjekt në Zvicër”, tha Krasniqi.

Kuvendi ka për objektiv kryesor edhe stimulimin e integrimit të komunitetit shqiptar në Zvicër.

“Stimulimi i integrimit te shqiptarët nganjëherë kuptohet si asimilim, përkundrazi, sa më mirë të integruar, aq më mirë të organizuar do të jemi si komunitet”, ka thënë veç tjerash Krasniqi.

Përveç integrimit në Zvicër, Kuvendi do të angazhohet për të siguruar përfaqësimin e denjë të shqiptarëve edhe në institucionet e vendeve të prejardhjes.

Pastaj Krasniqi ka folur për synimet e ardhshme të Kuvendit, si krijimi i kushteve të mirëfillta për investime të mërgatës në vendet e prejardhjes, transferimin e dijes atje, etj.

Për punën njëvjeçare të “Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës” foli kryetari Orhan Spahiu.

Ai ka raportuar para delegatëve të mbledhur për një sërë aktivitetesh të zhvilluara prej themelimit të Kuvendit e deri tani.

“Kuvendi ka reaguar sa herë që janë diskriminuar shqiptarët në Zvicër, dhe kjo ka ndikuar të ndryshojë qasja e medieve, po edhe të tjerëve ndaj paragjykimeve për shqiptarët. Një kohë të gjatë nuk keni parë ndonjë titull në media që degradon shqiptarët”, tha kryetari i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës, Orhan Spahiu.

Spahiu ka prezantuar para të pranishmëve edhe disa projekte që janë në realizim e sipër nga Kuvendi.

© albinfo.ch

Më pas kanë filluar zgjedhjet për kantonin e Cyrihut.

Anëtarja e Kryesisë së Kuvendit, Sarah Gretler, ka sqaruar për të pranishmit mënyrën e zgjedhjes së delegatëve dhe anëtarëve të kryesisë që do t’i përfaqësojnë shqiptarët e Cyrihut në konstituimin e Kuvendit më 10 qershor në Bernë.

Gretler në fillim ka bërë të ditur se nuk dëshiron të jetë sërish në kryesi të Kuvendit, por ka shprehur gatishmërinë të kontribuojë në grupet punuese.

“Sipas statutit, duhet të respektohet kriteri për përfshirjes e 30 për qind të delegatëve femra, si dhe kriteri për përfshirjen proporcionale të delegatëve nga të gjitha vendet e prejardhjes dhe brezit të ri në strukturat e kuvendit”, tha Gretler.

Fillimi i propozimit të listës së delegatëve nga Cyrihu u përcoll në fillim me disa kundërshtime për shkak të legjitimitetit në mungesë të kuorumit.

Por, pas sqarimeve juridike nga grupi iniciues, vazhdoi zgjedhja e delegatëve duke respektuar aspektin e përfaqësimit nga vendet e prejardhjes dhe atë gjinor.

© albinfo.ch

Në këtë tubim zgjedhor u votuan 17 delegatët e Cyrihut. Prej tyre në mënyrë proporcionale u zgjodhën edhe 4 anëtarët të kryesisë së Kuvendit.

© albinfo.ch

Delegatët e “Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës”nga Cyrihu: Selvije Buqaj-Shehu, Shpetim Thaqi, Nexhat Thaqi, Sabri Aliu, Naim Krasniqi, Kadri Ismajli, Sheqir Berisha, Isak Hamzai, Xhemajl Selimi, Beqir Myftari, Samet Isufi, Arxhira Osmani, Tone Berisha, Gëzim Kasumaj, Orhan Spahiu dhe Lirije Veselaj.

Foto galeri