Kosova

Kurti pret ambasadoren e re të Zvicrës në Kosovë: Marrëdhëniet mes dy vendeve pritet të thellohen

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të mërkurën në takim ambasadoren e re të Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin.

Gjatë takimit, Kurti i uroi ambasadores së re mirëseardhje dhe sukses në detyrën e saj, duke shprehur bindjen se gjatë mandatit të saj do të thellohen më tej marrëdhëniet mes Kosovës dhe Zvicrës.

Kurti vlerësoi raportet e hershme mes dy vendeve, duke theksuar rolin e Zvicrës si një partner i rëndësishëm i Kosovës në zhvillim, ekonomi dhe siguri. Ai veçoi edhe rolin e diasporës kosovare në Zvicër, ku, sipas tij, jetojnë rreth 200 mijë bashkatdhetarë.

Sipas Kurtit, diaspora nuk kontribuon vetëm përmes remitencave, por edhe përmes investimeve, sipërmarrjes dhe krijimit të vendeve të punës, duke shërbyer si një urë e rëndësishme lidhëse mes dy vendeve.

Kryeministri në detyrë falënderoi Zvicrën edhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës përmes tri fushave kryesore të bashkëpunimit: zhvillimit, ekonomisë dhe sigurisë njerëzore.

Në takim u diskutua edhe për praninë e kontingjentit zviceran Swisscoy në kuadër të KFOR-it, i cili është i angazhuar në Kosovë që nga viti 1999. Kurti e vlerësoi vendimin e Parlamentit zviceran për vazhdimin e mandatit të këtij kontingjenti, duke e cilësuar atë si dëshmi të besimit dhe partneritetit të qëndrueshëm në fushën e sigurisë.

Takimi vjen në kuadër të fillimit të mandatit të ambasadores së re zvicerane në Kosovë dhe synimit për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral/albinfo.ch/