Kosova

Kryetarët e komunave të Kosovës protestojnë para Qeverisë, shkak gjendja e rënduar financiare

Kryetarët kërkojnë mbrojtjen e buxheteve komunale dhe që Qeveria të marrë përsipër obligimet financiare që burojnë nga vendimet e nivelit qendror.

Kryetarët e komunave të Kosovës kanë protestuar kundër, siç kanë thënë, qasjes së Qeverisë ndaj komunave dhe përkeqësimit të gjendjes së tyre financiare, përcjell albinfo.ch.

Në protestë nuk kanë marrë pjesë disa kryetarë komunash që vijnë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, ka thënë se mesazhi i protestës është i qartë: “Mos ua merrni komunave atë që u takon qytetarëve”.

Aliu e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për “qasje selektive, jombështetëse e diskriminuese për komunat”, duke kërkuar që niveli qendror të marrë përsipër financimin e obligimeve që burojnë nga vendimet e marra në nivel qendror.

Sipas tij, kontratat kolektive janë negociuar pa pjesëmarrjen e komunave, ndërsa kostoja financiare më pas u është bartur atyre.

“Kur dëmtohet buxheti, dëmtohen qytetarët. Kontratat kolektive janë negociuar në nivelin qendror pa pjesëmarrjen e komunave dhe faturat u janë bartur komunave. Nga viti 2022 deri më 2026, qindra miliona euro u janë marrë komunave”, ka deklaruar Aliu.

Ai ka thënë se këto mjete, sipas tij, do të mund të përdoreshin për ndërtimin e shkollave, çerdheve, kanalizimeve dhe qendrave sportive, si dhe për mbështetjen e fermerëve, bujqve dhe familjeve në nevojë.

Një tjetër kërkesë e kryetarëve të komunave lidhet me normën prej 0.5 për qind për përvojën e punës për punëtorët publikë. Aliu ka kërkuar që kostoja e kësaj skeme të mbulohet nga buxheti i nivelit qendror.

“Të mos përsëritet skenari i kontratës kolektive. Kjo do të ishte falimentim dhe mbyllje e dyerve të komunave për shërbime të qytetarëve”, ka thënë ai.

Sipas Aliut, vendimet e marra nga niveli qendror nuk mund t’u bartin komunave përgjegjësi financiare pa konsultim dhe pa ndarjen e mjeteve shtesë.

Në protestë janë bashkuar edhe deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës, të cilët njëkohësisht kanë protestuar në Kuvend lidhur me moskonstituimin e institucioneve.

Ndër kërkesat kryesore të Asociacionit të Komunave të Kosovës janë mbrojtja e buxheteve, pronës dhe kompetencave komunale, kompensimi i obligimeve që burojnë nga kontratat kolektive, financimi nga niveli qendror i normës së përvojës së punës prej 0.5 për qind, kompensimi i dëmeve nga vërshimet dhe sigurimi i një financimi më të drejtë për komunat.

Kryetarët kanë kërkuar gjithashtu ndalimin e, siç e kanë cilësuar ata, ndërhyrjeve të nivelit qendror në autonominë lokale. /Albinfo.ch