Kosova

Kosova rrezikon të humbasë mbi 100 milionë euro nga BE-ja nëse vonohet formimi i institucioneve

Kosova mund t’i humbasë mbi 100 milionë euro nëse mbetet me institucione jofunksionale

Zvarritja e konstituimit të Kuvendit dhe e formimit të institucioneve të reja mund t’i kushtojë shtrenjtë Kosovës. Sipas vlerësimeve, vendi rrezikon të humbasë mbi 100 milionë euro deri në fund të vitit nga fondet e Bashkimit Evropian, nëse nuk arrin të funksionalizojë institucionet dhe të zbatojë reformat e kërkuara, përcjell albinfo.ch.

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka paralajmëruar se çdo vonesë shtesë rrit rrezikun e humbjes së fondeve nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

“Tashmë humbja nuk do të vlerësohet në dhjetëra miliona, por në qindra miliona euro, pasi Kosova i ka humbur disa afate. Ka raportuar në korrik për përmbushjen e disa kritereve, për të cilat është dashur të raportonte në qershor dhe tani vetëm pritet që Komisioni Evropian të konfirmojë se sa mjete janë humbur. Madje, po shqyrtohet edhe mundësia që fondet të cilat Kosova nuk arrin t’i shfrytëzojë t’u ndahen vendeve të tjera”, ka deklaruar Palokaj.

Për të njëjtin rrezik ka folur edhe koordinatori kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje Ekonomike, Jeton Zulfaj, i cili tha se mungesa e institucioneve funksionale po pengon zbatimin e Agjendës së Reformave.

Sipas tij, deri në fund të vitit duhet të realizohen edhe 61 hapa të tjerë, ndërsa shumë prej tyre kërkojnë miratim në Kuvend.

“Me 18 hapat që kemi zbatuar deri tani, kanë qenë gjithsej 79 hapa deri në dhjetor. Kur i zbritim këta 18, mbeten edhe 61 hapa që duhet të përmbushen deri më 31 dhjetor. Nëse ato nuk realizohen, shuma që Kosova mund të humbasë në fund të vitit mund të jetë mbi 100 milionë euro”, ka theksuar Zulfaj.

Kosova tashmë ka humbur një pjesë të fondeve, pasi nuk ka përmbushur obligimet që kishin afat deri në fund të qershorit dhe në mesin e korrikut.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një paketë financiare e Bashkimit Evropian me vlerë 6 miliardë euro, nga e cila Kosovës i janë ndarë mbi 880 milionë euro në formë grantesh dhe huash të favorshme.

Lirimi i këtyre fondeve bëhet me këste dhe varet nga zbatimi i Agjendës së Reformave, e cila përfshin masa në fushën e sundimit të ligjit, qeverisjes, zhvillimit ekonomik dhe integrimit në tregun e përbashkët evropian. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre reformave kërkon miratim në Kuvend, i cili ka mbetur jofunksional për një periudhë të gjatë. /Albinfo.ch