Kosova

Kosova ekstradon nga Gjermania një të dyshuar për vjedhje të rëndë

Ekstradohet nga Gjermania për në Kosovë i kërkuari me letërreshtim ndërkombëtar

Policia e Kosovës ka njoftuar se, në bashkëpunim me autoritetet gjermane, ka realizuar sot ekstradimin e një shtetasi kosovar nga Gjermania në Kosovë, i cili kërkohej për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit, operacioni është koordinuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.

I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet gjermane pas një letërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga INTERPOL-i, me kërkesë të institucioneve të drejtësisë së Kosovës.

Policia bëri të ditur se ekstradimi është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Gjermanisë.

Pas mbërritjes në Kosovë, i ekstraduari u është dorëzuar njësive kompetente të Policisë së Kosovës për vazhdimin e procedurave ligjore.

Policia e Kosovës theksoi se, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, me synim parandalimin, hetimin dhe luftimin e aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin dhe arrestimin e personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit./Albinfo.ch