Kosova

Haxhiu: Zvicra ka qenë pranë Kosovës në vitet më të vështira

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në shënimin e Ditës Kombëtare të Zvicrës, me ç’rast ka vlerësuar marrëdhëniet e veçanta mes Kosovës dhe Zvicrës.

Në fjalën e saj, Haxhiu tha se lidhjet mes dy vendeve janë ndërtuar ndër vite mbi miqësi, bashkëpunim dhe veçanërisht mbi lidhjet e forta mes qytetarëve të të dyja vendeve.

Ajo theksoi se Zvicra është bërë pjesë e jetës së shumë familjeve kosovare, pasi në këtë shtet jetojnë prej vitesh shumë familjarë dhe miq nga Kosova. Sipas saj, breza të tërë të rritur në Zvicër vazhdojnë ta ruajnë lidhjen me Kosovën.

Haxhiu shprehu mirënjohje për mbështetjen e Zvicrës gjatë periudhave më të vështira të historisë së Kosovës, si dhe për kontributin e vazhdueshëm në ndërtimin e institucioneve, zhvillimin e vendit dhe përkrahjen e qytetarëve.

Sipas saj, bashkëpunimi Kosovë-Zvicër sot shtrihet në fusha të ndryshme, përfshirë politikën, sigurinë, arsimin, ekonominë dhe kulturën.

Në fjalën e saj, Haxhiu vlerësoi edhe kontributin e komunitetit shqiptar nga Kosova në shoqërinë zvicerane. Ajo përmendi sportin, politikën dhe shkencën si disa prej fushave ku ky kontribut është bërë i dukshëm, duke veçuar edhe Ylfete Fanajn dhe Ardian Jusufin.

Në fund, u.d presidentja Haxhiu uroi popullin zviceran për paqe, mirëqenie dhe shëndet, ndërsa shprehu falënderim për miqtë zviceranë në Kosovë për miqësinë dhe mbështetjen e tyre në rrugëtimin e vendit.