Lajme
Gjermania kalon sërish shifrën e tre milionë të papunëve
Tregu i punës në Gjermani vazhdon të shfaqë shenja dobësimi. Në gusht të vitit 2026, numri i të papunëve ka kaluar sërish kufirin prej tre milionë personash, tregojnë të dhënat më të fundit të Agjencisë Federale të Punësimit (Bundesagentur für Arbeit).
Sipas raportit zyrtar të publikuar më 28 gusht, në Gjermani rezultonin 3.061 milionë persona të papunë, ose 54 mijë më shumë se në korrik. Krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, numri i të papunëve është rritur me 36 mijë persona, përcjell albinfo.ch.
Shkalla e papunësisë është rritur me 0.1 pikë përqindjeje, duke arritur në 6.5 për qind.
Drejtoresha e Agjencisë Federale të Punësimit, Andrea Nahles, tha se tregu i punës vazhdon të karakterizohet nga një dinamikë e dobët.
“Edhe në gusht, përtej modelit të zakonshëm sezonal, tregu i punës tregon pak dinamizëm. Kështu vazhdon zhvillimi i përmbajtur i muajve të fundit”, deklaroi Nahles gjatë prezantimit të të dhënave mujore në Nuremberg.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se në gusht rreth 3.754 milionë persona të aftë për punë përfitonin nga sistemi i sigurimit bazë social. Kjo përfaqëson rreth 6.9 për qind të popullsisë në moshë pune në Gjermani.
Megjithatë, numri i përfituesve të kësaj ndihme ishte 116 mijë më i ulët sesa në gusht të vitit 2025.
Në anën tjetër, rreth 1.133 milionë persona përfitonin Arbeitslosengeld, pagesa e papunësisë për personat që kanë paguar më parë kontribute në sigurimin përkatës. Numri i tyre është rritur me 109 mijë krahasuar me një vit më parë, transmeton albinfo.ch.
Dobësi vërehet edhe te punësimi. Sipas të dhënave të cituara nga Agjencia Federale e Punësimit, në korrik 2026 në Gjermani kishte rreth 45.66 milionë të punësuar, sipas konceptit që llogarit personat që punojnë brenda territorit të Gjermanisë. Kjo është 226 mijë më pak se një vit më parë.
Edhe kërkesa e kompanive për punonjës mbetet e dobët. Në gusht, pranë Agjencisë Federale të Punësimit ishin të regjistruara 656 mijë vende të lira pune.
Situata mbetet sfiduese edhe në tregun e aftësimit profesional. Që nga tetori i vitit 2025, 433 mijë të rinj ishin regjistruar si kandidatë për një vend aftësimi profesional. Deri në gusht, rreth 102 mijë prej tyre nuk kishin gjetur ende as një vend trajnimi dhe as ndonjë alternativë tjetër.
Në të njëjtën kohë, kompanitë kishin ende rreth 116 mijë vende të paplotësuara për aftësim profesional.
Agjencia Federale e Punësimit thekson se tregu i aftësimit vazhdon të jetë në lëvizje deri në përfundimin e vitit raportues më 30 shtator dhe se numri i vendeve të paplotësuara dhe i kandidatëve pa një zgjidhje pritet të ulet. /albinfo.ch/
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
UHZ dhe ABSM hapin një kapitull të ri bashkëpunimi për aftësim profesional Njohuritë akademike synohet të plotësohen me kompetenca që studentët mund t’i përdorin drejtpërdrejt në zhvillimin e... -
SHKASH “Xheladin Zeqiri” nga Tetova prezanton folklorin shqiptar në Qipro -
Gjenevë: Ministri Hoti merr pjesë në aktivitetet kushtuar viktimave të zhdukjes me forcë -
Punëson kosovarin “pa letra”: Ja sa gjobiten punëdhënësi dhe punëtori -
Paditen dy shoferët kosovarë të autobusit, punonin pa licencë në Austri
Jeta në Austri
-
Vjena shqyrton qasjen falas në të gjitha tualetet publike Vjena po shqyrton nëse do t’i bëjë tualetet publike falas në të gjitha aspektet. Vlerësimi është... -
Paditen dy shoferët kosovarë të autobusit, punonin pa licencë në Austri -
Turizmi veror: Austria ka regjistruar 41.87 milionë net-qëndrime -
Çfarë nënkuptojnë rregullat e reja të BE-së për patentën e shoferit për Austrinë? -
Matoshi transferohet nga Fc Thun te Sturm Graz i Austrisë











