Lajme

Gjermania ka nevojë për dhjetëra-mijëra mësues

Gjermania po përballet me një sfidë të madhe në sistemin arsimor – ajo ka nevojë për dhjetëra mijë mësues të tjerë.

Në Gjermaninë e begatë, ndërtesat e shkollave janë në gjendje të keqe. Suvaja po bie nga muret, tualetet janë thyer dhe gjimnazet janë mbyllur për riparime. Shumë prej tyre nuk kanë Wi-Fi dhe kompjuterët janë të paktë. Mësuesit janë të rraskapitur dhe gjithnjë e më shumë nxënës rrezikojnë të mbeten pas me mësime për shkak se shkollat u mbyllën për javë të tëra gjatë pandemisë COVID-19.

Gjendja e vështirë e sistemit arsimor të Gjermanisë është rezultat i keqmenaxhimit dhe planifikimit të gabuar, thonë studiuesit dhe kjo po ndodh në një kohë kur shkollat përballen me sfida të reja, pasi pritet të ndihmojnë në integrimin e më shumë studentëve të huaj.

Shumica e administratorëve të shkollave thonë se mungesa e mësuesve është sfida më e madhe, sipas barometrit më të fundit gjerman të shkollave të publikuar pak ditë më parë nga Fondacioni Robert Bosch.

“Ne besojmë se janë 30,000 deri në 40,000 vende të lira për arsimtarët”, tha për Deutsche Welle, Dagmar Wolf, studiuese për edukimin në Fondacionin Robert Bosch.

Politika arsimore është përgjegjësi e 16 qeverive rajonale të Gjermanisë, ku konferenca e ministrave të Arsimit ka vendosur se janë 12 mijë vende të lira për mësues. Por Shoqata Gjermane e Mësuesve tha se këto shifra janë “zbukuruar”, pasi disa shkolla llogarisin prindërit dhe ndihmësit e tjerë si mësues.

Pavarësisht rritjes së nivelit të lindjeve, numri i vendeve për mësuesit praktikantë është reduktuar masivisht gjatë 20-30 viteve të fundit dhe për mësuesit e rinj nuk ka më siguri të plotë në punë.

Gjithashtu, ka pasur flukse refugjatësh. Së fundmi, mbi 200,000 fëmijë mbërritën nga Ukraina, të cilët kishin nevojë për shkollim, pasi ligji gjerman kërkon që të gjithë fëmijët e moshës 6 deri në 16 vjeç të ndjekin shkollën. “Shkollat ishin të papërgatitura për këtë”, tha Heinz-Peter Meidinger, president i Shoqatës së Mësuesve Gjermanë.

Instituti Ekonomik Gjerman ka vlerësuar se nëse 3.5% e 7.5 milionë fëmijëve të Ukrainës do të qëndrojnë përfundimisht në Gjermani, vendi do të ketë nevojë për 13.500 mësues shtesë.

Megjithatë, ky është vetëm fillimi i problemit. Mësuesit që kanë lindur në fillim të viteve 1960 shumë shpejt do të dalin në pension. Kjo do ta përkeqësojë situatën në mënyrë dramatike.

Disa studiues vlerësojnë se deri në vitin 2030, do të ketë më shumë se 80,000 vende të lira për mësuesit. Jo vetëm kaq, por do të ketë edhe mungesë të punonjësve socialë, psikologëve në shkolla dhe stafit administrativ të shkollës për të zbatuar “politikën e përfshirjes”, e cila synon të sigurojë që të gjithë fëmijët të pranohen në shkolla.

Aktualisht, vetëm 7% e studentëve gjermanë po studiojnë për t’u bërë mësues. Dhe mes tyre, shumë braktisin shkollën ose marrin drejtime të tjera.

Si mund të nxiten më shumë të rinj për të studiuar mësimdhënie? “Nëse i pyet mësuesit se çfarë duan më shumë, kryesorja nuk është një pagë më e lartë, por më shumë kohë për detyrat e tyre kryesore” – tha Meidinger. Ata janë duke u ngarkuar me detyra organizative dhe projekte shtesë. “Sigurisht që dixhitalizimi kërkon edhe shumë trajnime, të cilat shpesh mungojnë”, shtoi ai./dw