Lajme

Gjermani: Masa kufizuese për personat e pavaksinuar

Gjermania ka vendosur të forcojë masat kufizuese për personat të cilët nuk janë vaksinuar kundër COVID-19.

Njerëzit e pavaksinuar nuk do të jenë në gjendje të hyjnë në dyqane jo thelbësore, restorante, vende kulturore apo argëtimi, njoftoi të enjten kancelarja në largim Angela Merkel.

Masat e reja u ndërmorën pas një takimi midis Merkelit dhe kancelarit të ardhshëm Olaf Scholz dhe liderëve të 16 landeve të vendit.

Ata gjithashtu e kanë konfirmuar se një projektligj për vaksinimin e detyrueshëm, të cilin Scholz e mbështet, do t’i paraqitet parlamentit për hyrje në fuqi në muajin shkurt ose mars.

Ndryshe, Gjermania ka raportuar të enjten 73 mijë raste të reja si dhe 388 viktima.

Masat e sapo shpallura nga Gjermania janë një “akt i solidaritetit kombëtar” për të “ulur shkallën e infeksionit dhe për të hequr presionin nga sistemi ynë shëndetësor”, thotë Merkel.