Një tjetër emër shqiptar po shënon sukses në politikën zvicerane. Elmonda Bajraliu, shtetase zvicerane me prejardhje nga Kosova, do të jetë kandidate në zgjedhjet komunale të 8 marsit 2026 për Parlamentin e qytetit të Winterthur-it, nën siglën e FDP.Die Liberalen, transmeton albinfo.ch.
Bajraliu sjell në skenën politike një zë të ri dhe energjik, me fokus të veçantë te çështjet që prekin të rinjtë, arsimin dhe barazinë e mundësive. Ajo është aktive prej vitesh në jetën publike të qytetit, ku ka dhënë kontribut të dukshëm, përfshirë edhe rolin e saj si bashkëthemeluese dhe ish-bashkëkryetare e Parlamentit të të Rinjve të Winterthur-it.
Aktualisht, Elmonda Bajraliu punon si konsulente bankare dhe njëkohësisht ndjek studimet në Drejtësi të Aplikuar në ZHAW (Zürcher Hochschule für Angewandte Wissenschaften), duke dëshmuar përkushtimin e saj ndaj zhvillimit profesional dhe shërbimit publik.
Kandidimi i saj konsiderohet një moment krenarie për komunitetin shqiptar në Zvicër, duke dëshmuar se shqiptarët po përfaqësohen gjithnjë e më shumë edhe në nivelet vendimmarrëse të shoqërisë ku jetojnë.
Zgjedhjet e 8 marsit 2026 pritet të jenë një hap i rëndësishëm në rrugëtimin politik të Elmonda Bajraliut dhe një shembull frymëzues për brezin e ri./Albinfo.ch

Lexoni po ashtu:
https://www.albinfo.ch/elmonda-bajraliu-dua-ti-jap-ze-brezit-te-ri/?fbclid=IwY2xjawQLxJ1leHRuA2FlbQIxMABicmlkETJMTHBoMmNER01XWGozeXphc3J0YwZhcHBfaWQQMjIyMDM5MTc4ODIwMDg5MgABHjAVs4_cldJyZ8lbYttUM4MXgBmXXP7Zv2wYz71G1Jv5Bzyi8yWb0vLI-jDM_aem_OJ0u0kvzA8zAf7j0hUUl8w
Lexoni po ashtu:
https://www.albinfo.ch/die-albanische-community-als-brucke-in-einer-multikulturellen-winterthur/