Policia e Kosovës ka njoftuar se sot është realizuar ekstradimi nga Gjermania në Kosovë i një shtetasi kosovar, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar.
Sipas Policisë, personi kërkohej për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, transmeton albinfo.ch.
Ekstradimi është realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë përkatëse policore dhe institucionet e drejtësisë.
Pas ekstradimit, personi është dorëzuar te njësitë kompetente të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë për lokalizimin dhe sjelljen para drejtësisë të personave të kërkuar.