Zvicra ka rikonfirmuar mbështetjen e saj për forcimin e institucioneve demokratike në Kosovë, duke mbështetur një punëtori që bashkon ekspertë nga Shërbimet Parlamentare të Zvicrës dhe institucionet e Kosovës, shkruan albinfo.ch.
Qëllimi i kësaj iniciative është shkëmbimi i praktikave më të mira në hartimin e legjislacionit shumëgjuhësh, përkthimin parlamentar dhe përmirësimin e proceseve legjislative.
Sipas njoftimit, forcimi i shumëgjuhësisë është një element kyç për ndërtimin e institucioneve gjithëpërfshirëse, rritjen e sigurisë juridike dhe nxitjen e dialogut ndërmjet të gjitha komuniteteve në Kosovë.
Përmes kësaj mbështetjeje, Zvicra vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e institucioneve funksionale dhe në promovimin e standardeve demokratike, duke ndihmuar në krijimin e një sistemi legjislativ më gjithëpërfshirës dhe më efikas. /Albinfo.ch