Një zjarr i madh ka shpërthyer në orët e hershme të së shtunës në një banesë në rrethin 3 të Cyrihut, duke shkaktuar evakuimin e dhjetëra banorëve dhe hospitalizimin e dy personave, përcjell albinfo.ch.
Kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendin e ngjarjes, banesa ishte përfshirë plotësisht nga flakët, ndërsa zjarri po përhapej drejt ballkonit të katit sipër. Tym i dendur kishte mbushur edhe shkallët e ndërtesës dhe disa apartamente të tjera.
Sipas policisë së qytetit, disa banorë arritën të largohen vetë nga ndërtesa, ndërsa 30 persona të tjerë u evakuuan nga zjarrfikësit profesionistë. Për shkak të tymit të madh, ekipet e shpëtimit përdorën maska speciale mbrojtëse dhe shkallë automatike për nxjerrjen e banorëve.
Dy persona, pas ndihmës së parë në vendngjarje, janë dërguar në spital për trajtim të mëtejshëm.
Zjarrfikësit arritën ta lokalizojnë dhe shuajnë zjarrin relativisht shpejt duke ndërhyrë përmes ballkonit të banesës.
Banesa e përfshirë nga flakët tashmë konsiderohet e pabanueshme. Për shkak të përhapjes së madhe të tymit në ndërtesë, edhe banorët e tjerë nuk janë lejuar të kthehen në apartamentet e tyre gjatë natës.
Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur shkakun e zjarrit dhe as vlerën e dëmeve materiale./Albinfo.ch