Kosova

Dy persona ekstradohen në Kosovë nga Gjermania dhe Hungaria

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë dy ditëve të fundit janë realizuar dy ekstradime nga Gjermania dhe Hungaria drejt Kosovës.

Sipas Policisë, më 12 gusht nga Gjermania është ekstraduar shtetasi kosovar M.T., ndaj të cilit ishte lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar. Ai dyshohet se kërkohej për veprën penale që lidhet me blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve dhe substancave psikotrope.

Një ditë më pas, më 13 gusht, nga Hungaria është ekstraduar në Kosovë shtetasi serb I.S., i cili po ashtu ishte në kërkim përmes një urdhërarresti ndërkombëtar për të njëjtën vepër penale.

Pas mbërritjes në Kosovë, të dyshuarit janë dorëzuar te njësitet përkatëse policore në rajonin e Prishtinës, për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.

Policia e Kosovës tha se ekstradimet u realizuan në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve vendore dhe autoriteteve të Gjermanisë e Hungarisë.

Përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), Policia ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare për identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e personave të dyshuar për veprimtari kriminale.