Lajme

Dy 18-vjeçarë akuzohen për mbështetje të terrorizmit në Zvicër

Prokuroria e të Miturve në Schaffhausen ka ngritur aktakuzë ndaj dy 18-vjeçarëve, të dyshuar për mbështetje të një organizate terroriste. Ata dyshohet se kishin lidhje me organizatën e ndaluar Shteti Islamik (IS) dhe se kishin diskutuar për planifikimin e sulmeve në Zvicër.

Prokuroria Publike e Schaffhausenit njoftoi të martën se ndaj dy të rinjve janë ngritur akuza për disa raste të mbështetjes së një organizate terroriste.

Sipas autoriteteve, njëri prej të akuzuarve është shtetas zviceran, ndërsa tjetri shtetas italian. Ata dyshohet se kanë mbështetur organizatën terroriste të ndaluar Shteti Islamik (IS) dhe se kanë ndihmuar në planifikimin e sulmeve me bomba në Zvicër.

Të dy ishin arrestuar në vitin 2024, ndërsa në atë kohë ishin 15 dhe 16 vjeç. Për këtë arsye, procesi gjyqësor do të zhvillohet në gjykatën për të mitur. Data e gjykimit ende nuk është përcaktuar.

Hetimet lidhen edhe me Gjermaninë

Dy të rinjtë, së bashku me një person tjetër 18-vjeçar, shtetas zviceran nga kantoni i Thurgaut, u arrestuan gjatë fundjavës së Pashkëve të vitit 2024. Ndaj të dyshuarit të tretë hetimet po zhvillohen nga Prokuroria Federale e Zvicrës.

Sipas Prokurorisë Federale, hetimet në Zvicër kanë lidhje me hetime të ngjashme të zhvilluara në Gjermani.

Edhe në Gjermani, gjatë pushimeve të Pashkëve të vitit 2024, u arrestuan katër të rinj të moshës 15 dhe 16 vjeç, të dyshuar për terrorizëm dhe për mbështetje të organizatës së ashtuquajtur Shteti Islamik (ISIS).

Sipas autoriteteve gjermane, tre prej të dyshuarve nga landi i Renanisë Veriore-Vestfalisë dhe një nga Baden-Vyrtembergu dyshohet se kishin diskutuar në një grup komunikimi për plane për sulme ndaj stacioneve policore, kishave dhe sinagogave. Ata dyshohet gjithashtu se kishin shprehur gatishmërinë për të kryer një vepër penale.

Të gjithë personat e përmendur konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës.