Lajme

Dr. Lumnije Kqiku, shqiptarja e parë në enciklopedinë “Who´s Who in the World”

Dr. Lumnije Kqiku është specialiste e Endodoncionit dhe Traumatologjisë Dentare dhe Docente në Universitetin e Gracit. Ajo është bërë model i një femre të suksesshme, me një karrierë të pasur akademike

Dr. Lumnije Kqiku është një shqiptare e suksesshme në karrierë dhe familje. Ndonëse është nënë e tre fëmijëve dhe bashkëshorte e mjekut po ashtu të njohur Dr.med.univ. Robert Biblekaj dhe me angazhime të shumta, Dr. Lumnije Kqiku nuk i ndahet shkencës e as cilësisë në punën që ajo bën çdo ditë. Ajo është gruaja e parë nga Kosova dhe Shqipëria që më 2011 hyn në librin enciklopedik më prestigjioz në botë “Who´s Who in the World”, libër ky që boton biografitë e personave të cilët shquhen për të arriturat e tyre dhe karrierën e jashtëzakonshme. Është një femër ambicioze, e cila suksesin e vet e bazon në punë dhe përkushtim duke u bërë model edhe për shumë femra të tjera, të cilat dëshirojnë të bëhen të suksesshme në botën akademike dhe në jetën e tyre.

Albinfo.at: Mund të na tregoni, me pak fjalë, kush është dr. Lumnije Kqiku?

Lumnije Kqiku: Jam lindur në Gjilan, aty kam kryer shkollën fillore, pastaj atë të mesme të mjekësisë për t’i vazhduar studimet në Fakultetin  Mjekësisë në Prishtinë, në degën e Stomatologjisë. Studimet në Prishtinë i përfundova në vitin 1998 për të vazhduar për një vizitë studimore në Klinikën Dentare-Universitare të Gracit. Në vitin 1999 përfundova specializimin në lëmin ,,Sëmundjet e Dhëmbit me Endodoncion” në Kosovë. Në vitin 2003 nostrifikova diplomën në Universitetin e Gracit, ku edhe mbrojta temën e magjistraturës, për të vazhduar në vitin 2005 si asistente universitare në Klinikën Dentare të Gracit. Dhe, në fund një ëndërr e kamotshme u bë realitet, përfundova doktoratën në vitin 2006 në Grac.

Albinfo.at: A mund të themi se etja për ngritje profesionale të solli në Austri ?

Lumnije Kqiku: Ky ishte motivi kryesor  që më solli në Grac në një universitet prestigjioz, në fakt vet motivi ishte edhe qëllimi i publikimeve në revistat më të ranguara botërore me impakt faktorin (IF) më të lartë që ndër vite e kam realizuar.

Albinfo.at: Ishit edhe në ndonjë qendër universitare në Evropë, përveç Gracit ?

Lumnije Kqiku: Isha në vizitë studimore në Fakultetin e Stomatologjisë në Universitetin e Zagrebit në vitin 2007 si dhe të Tübingen-it 2010. Të cilat më shërbyen për ngritje profesionale të mëtejme. Kështu nga viti 2012 bëhem zëvendësudhëheqëse e Klinikës Speciale të Endodoncionit dhe Traumatologjisë Dentare në Grac, ndërsa në vitin 2018 fitova titullin: Univ.Doz.Dr.Med.Dent!

Albinfo.at: Cili është pozicioni juaj në Qendrën Klinike-Universitare të Gracit ?

Lumnije Kqiku: Jam ligjëruese e lartë për studentët e Mjekësisë së Përgjithshme, Stomatologjisë dhe studimeve postdiplomike; Zëvendësudhëheqëse e Klinikës Speciale të Endodoncionit dhe Traumatologjisë Dentare; Prodekane për studimet e doktoraturës në seksionin e stomatologjisë; Koordinatore për CEEPUS (Central European Exhange Program for University Studies); Autore dhe bashkautore në shumë punime shkencore – profesionale në kuadër të Universitetit të Gracit dhe jashtë; Recensente në shumë revista shkencore dentare, si dhe intervenimet komplekse të traumave dentare.

Albinfo.at: Cili është bashkëpunimi mes Universitetit të Gracit, Prishtinës dhe Tiranës?

Lumnije Kqiku: Kemi bashkëpunim të mrekullueshëm me të dy universitetet si në shkëmbim të stafit mjekësor, studentëve por edhe në kërkime shkencore dhe konferenca ndërkombëtare. Numri i konsideruar i studentëve nga Prishtina dhe Tirana që studiojnë në Grac e vërteton më së miri këtë bashkëpunim.

Albinfo.at: Sa është e vështirë për një grua nga një vend i huaj të prekë majet e shkencës në një vend si Austria?

Lumnije Kqiku: Natyrisht që nuk është lehtë, por motivi dhe puna e vazhdueshme sjellin tek caku. Megjithatë, mendoj të jesh një grua udhëheqëse ka më shumë përparësi, sepse gruaja është arkitekte e çdo gjëje të bukur që e shohim, e kjo pikërisht vlen edhe për menaxhimin në profesion, por edhe në familje!

Albinfo.at: Cili është “çmimi” që keni paguar për të arritur këtu ku jeni ?

Lumnije Kqiku: Për çdo të arritur ekziston një çmim, por çmimi është i ulët në krahasim me qëllimin. Kam sakrifikuar shumë nga jeta ime private për karrierën që kam bërë. Periudha më e vështirë ka qenë kur fëmijët ishin të vegjël dhe përgatitja e doktoraturës në një Universitet prestigjioz siç është ai i Gracit, më ka detyruar të lija anash shumë kënaqësi të jetës, familjen dhe shoqërinë. Por, kjo është tejkaluar shpejt dhe gjithë fuqia dhe suksesi ishte falë mbështetjes nga familja ime që gjithnjë më ka përkrahur pa rezervë.

Albinfo.at: Si nënë e tre fëmijëve dhe grua e një bashkëshorti, po ashtu mjek, Dr.med.uni. Robert Biblekaj, si arrini t’i harmonizoni detyrimet profesionale me ato familjare ?

Lumnije Kqiku: Të gjitha arrihen me një plan paraprak dhe me një racionalizim të kohës duke u mirëkuptuar në familje. Asnjë sukses nuk do ta kisha arritur në këtë masë pa përkrahjen e pakursyer të bashkëshortit tim, i cili më ka inkurajuar dhe motivuar gjithmonë. Në këtë kohë dinamike me angazhime të shumta, nëse ti e menaxhon kohën dhe jo ajo ty, ti bëhesh prijëse e agjendave dhe jeta familjare është e harmonizuar me kohën duke mbetur të gjithë të kënaqur dhe të lumtur.

 

Albinfo.at: Keni ndonjë kontakt me aktivistë ose shoqatë në Grac apo më gjerë ?

Lumnije Kqiku: Kam kontakte dhe kemi disa plane konkrete në të ardhmen për të cilat jemi duke punuar dhe së shpejti do të ketë edhe hapa konkret, por këtë nuk do e zbuloj tani. Të fuqishme dhe të suksesshme më bën vetëbesimi dhe dashuria ndaj vendit tim.

Albinfo: Cili është çelësi i suksesit të jetës suaj?

Lumnije Kqiku: Natyrisht që esencial është harmonizimi karrierë – jetë private andaj suksesi i takon punës që bëjmë dhe synimeve që ia kemi caktuar vetës. Çelësi i suksesit është të pëlqesh atë që bën.

box

Mesazhet e Dr. Lumnije Kqikut

Besoni në veten tuaj, një shoqëri e shëndoshë ka nevojë për femra intelektuale dhe të guximshme! Dëgjoni njerëzit e suksesshëm, mësoni nga përvojat e tyre, sfidat ju bëjnë të pathyeshëm. Mos hiqni dorë nga ëndrrat tuaja, sado larg që të duken ato, janë të arritshme; Qëndroni autentike ajo që jeni, s´keni nevojë të kopjoni të tjerët; Të fuqishme ju bën vetëbesimi dhe dashuria ndaj vendit tuaj; Mbahuni fort për rrënjët tuaja kombëtare, sepse vetëm kështu trupi ka vlerë; Çdo gjë që ne bëjmë duhet të mendojmë që një pjesë të suksesit e dërgojmë në vendlindje.