Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, dhe kryetari i Degës së Dytë të LDK-së në Prishtinë, Florian Dushi, kanë dorëzuar të mërkurën nënshkrimet e mbledhura për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë, përcjell albinfo.ch.
Iniciativa synon shkarkimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, ku partia u rendit sërish e treta.
Sipas Zemajt, janë siguruar më shumë se 150 nënshkrime, ndërkohë që Statuti i LDK-së parashikon se për thirrjen e Kuvendit nevojiten të paktën 118 nënshkrime nga 355 delegatët.
Pas dorëzimit të kërkesës, Kryesia e LDK-së është e obliguar që ta thërrasë Kuvendin e jashtëzakonshëm brenda 60 ditëve.
Sekretari i partisë, Ilir Ferati, kishte deklaruar më herët se një kërkesë e tillë do të trajtohej me seriozitet sapo të dorëzohej zyrtarisht.
Kujtojmë se Abdixhiku i mbijetoi një votëbesimi në janar, ndërsa në zgjedhjet e 7 qershorit LDK-ja fitoi tre deputetë më shumë krahasuar me zgjedhjet paraprake, duke garuar me ish-presidenten Vjosa Osmani si bartëse të listës./Albinfo.ch