Dogana e Kosovës ka njoftuar qytetarët që kryejnë blerje online nga jashtë vendit se dërgesat me mallra me vlerë deri në 35 euro mund të përfitojnë nga lirimi nga detyrimet e importit, përcjell albinfo.ch.
Sipas Doganës, ky përjashtim vlen për dërgesat që dërgohen drejtpërdrejt nga një vend jashtë Kosovës te pranuesi në territorin doganor të Republikës së Kosovës.
Kusht është që vlera e përgjithshme e mallrave në secilën dërgesë të mos e tejkalojë shumën prej 35 eurosh, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Megjithatë, nga ky lirim nuk përfitojnë produktet alkoolike, parfumet dhe ujërat e tualetit, si dhe duhani dhe produktet e duhanit.
Dogana ka bërë të ditur se rregulli zbatohet për dërgesat që plotësojnë kushtet e përcaktuara me legjislacionin doganor./Albinfo.ch