Lajme

Dibra e Madhe bashkon mërgimtarët me bashkëvendasit e tyre

Shoqata për Kulturë “Reka e Epërme” edhe këtë vit organizoi manifestimin tradicional “Takimet e Rekës së Epërme”, një ngjarje që tashmë është shndërruar në simbol të ruajtjes së identitetit, kulturës dhe trashëgimisë së kësaj treve shqiptare.

Në fshatin Rimnicë u mblodhën banorë vendas dhe ish-banorë të Rekës së Epërme, të cilët sot jetojnë në Gostivar, Tetovë, Shkup, Dibër dhe qytete të tjera të vendit, si dhe mërgimtarë nga Italia, Gjermania, Zvicra e Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në manifestim morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve dhe të shoqatave të ndryshme kulturore.

Aktiviteti nisi me pritjen tradicionale nën tingujt e çiftelive, daulleve dhe tupanëve të Dibrës së Madhe, më pas u prezantuan dasma tradicionale e Rekës së Epërme, vallet dhe këngët karakteristike të kësaj treve, lojërat popullore, si dhe elemente të tjera të trashëgimisë kulturore shqiptare, transmeton albinfo.ch.

Manifestimi kishte nisur më 26 korrik me Marshin Tradicional, ndërsa aktiviteti qendror u mbajt më 2 gusht në fshatin Rimnicë, ku morën pjesë qindra vizitorë nga vendi dhe diaspora.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, i cili vlerësoi rëndësinë e manifestimit si një ngjarje që bashkon banorët, mërgimtarët dhe miqtë e kësaj treve.

“Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar për të mbështetur aktivitetet që promovojnë kulturën, traditën dhe identitetin tonë kombëtar”, deklaroi Mela teksa përgëzoi organizatorët për angazhimin e tyre në ruajtjen e kësaj tradite të rëndësishme, duke theksuar se manifestime të tilla forcojnë lidhjet ndërmjet brezave dhe promovojnë trashëgiminë kulturore të Rekës së Epërme.