Kosova
Çfarë përfiton Kosova nga marrëveshja për tregti të lirë me EFTA-n?
Nëse një prodhues vendës kosovar është detyruar të paguajë një tarifë shtesë doganore prej 10 për qind për t’i eksportuar mallrat e veta në një vend me mërgatë të madhe, si Zvicra, nga tani ai, lëre më që nuk do të paguajë çmim shtesë, por nuk do të paguajë fare tarifë doganore.
Këtë e ka mundësuar një marrëveshje e saponënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA), ku, përveç Zvicrës, bën pjesë edhe Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia.
Heqja e tarifave është një nga lehtësitë që do t’i gëzojnë kompanitë kosovare që eksportojnë apo duan të eksportojnë në vendet anëtare të EFTA-s, me të cilën Kosova e nënshkroi më 22 janar një Marrëveshje për Tregti të Lirë, më pak se tri vjet pasi i hapi bisedimet me këtë organizatë.
Marrëveshja ofron shumë mundësi, përfshirë ato për importimin dhe eksportimin e mallrave. Konsumatorët dhe kompanitë mund të gëzojnë çmime më të lira, ndërsa kompanitë vendëse mund t’i shesin produktet e tyre më me lehtësi në tregjet e huaja.
Marrëveshja u mundëson kompanive në vendet kontraktuese qasje të ngjashme ose më të mirë sesa konkurrentët e tyre nga vendet e treta, sipas EFTA-s.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo marrëveshje nënkupton shumë për Kosovën.
“Marrëveshje të tilla, për një treg të vogël, siç është Kosova, duhet të kenë qëllim strategjik sa më shumë, sepse kjo u ndihmon investimeve të huaja, sepse çdo investitor që vjen në Kosovë i prodhon dhe eksporton mallrat në këto vende të EFTA-s”, pohon Rafuna.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh i bindur pas nënshkrimit të marrëveshjes në Davos të Zvicrës se ajo “do të sjellë përfitime për bizneset, industritë dhe qytetarët e të gjitha vendeve [palë]”.
Kush përfiton më së shumti nga kjo marrëveshje?
Marrëveshja mes Kosovës dhe EFTA-s mbulon fusha si tregtia e mallrave dhe shërbimeve, të drejtat e pronësisë intelektuale, lehtësimin tregtar, zhvillimin e qëndrueshëm tregtar, dhe provizionet ligjore e horizontale.
Sipas Rafunës, prodhuesit vendës do të përfitojnë më së shumti nga kjo marrëveshje, për arsye se do ta kenë mundësinë që të gjitha produktet me origjinë të Kosovës t’i eksportojnë në këto vende, pas pasur nevojë të paguajnë tarifë doganore. E njëjta do të vlejë edhe për mallrat që hyjnë në Kosovë nga këto vende.
“Ne kemi diasporë shumë të madhe në Zvicër, dhe falë kësaj marrëveshjeje ata do të përfitojnë, për t’i tërhequr produktet e Kosovës në tregun zviceran, por edhe produktet e tyre, apo partnerëve të tyre, në tregun kosovar, pa tarifë doganore”, thotë Rafuna.
Rreth 115.000 kosovarë jetojnë në Zvicër, sipas të dhënave të fundit nga viti 2022 të Sekretariatit Shtetëror të Zvicrës për Imigrim. Agjencia e Statistikave e Kosovës ende s’i ka publikuar të dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit 2024 për kosovarët që jetojnë në Zvicër.
Cili është bilanci tregtar mes Kosovës dhe EFTA-s?
Tregtia dypalëshe mes Kosovës dhe EFTA-s nisi qysh në vitin 2008, pas pavarësimit të vendit.
Prej atëherë, ka shënuar rritje të vazhdueshme, ndërsa më 2023 e arriti shifrën më të lartë: 176 milionë euro, sipas të dhënave në ueb-faqen e kësaj organizate.
Gjatë vitit 2023, Kosova eksportoi në vendet e EFTA-s mallra në vlerë prej 76 milionë eurosh, ndërsa importoi produkte nga to në vlerë prej 99 milionë eurosh.
Shkalla mesatare e importit shënoi rritje prej 20.4 për qind në pesë vjetët e fundit, ndërsa ajo e eksportit 26.6 për qind gjatë asaj periudhe.
Tregtia ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës gjatë vitit 2023 arriti vlerën e 141 milionë eurove. Kosova eksportoi mallra në vlerë prej 75 milionë eurosh në Zvicër, ndërsa importoi në vlerë prej 66 milionë eurosh nga ajo. Në të dhënat për tregtinë me Zvicrën futet edhe Lihtenjshtajni, pasi këto dy vende kanë doganë të përbashkët, sipas EFTA-s.
Kosova eksporton në vendet e EFTA-s kryesisht mallra si orendi, plastika, hekur dhe çelik, si dhe produkte të drurit, ndërsa importon nga to kryesisht vetura, produkte farmaceutike, duhan dhe makineri./REL
Lexoni po ashtu:
Nënshkruhet Marrëveshja e Tregtisë së Lirë mes vendeve anëtare të EFTA-s dhe Kosovës
Zvicra nënshkroi në Davos marrëveshjen e tregtisë së lirë me Kosovën
Kurti: Marrëveshja për Tregtinë e Lirë krijon mundësi të reja eksporti për bizneset kosovare
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Zvicër
Ambasadori Ermal Dredha dorëzon Letrat Kredenciale te Guy Parmelin Ambasadori Ermal Dredha dorëzon Letrat Kredenciale te Presidenti zviceran Guy Parmelin... -
Rromir Imami: Kur portreti kthehet në narrativë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Fribourg -
Një mbrëmje me Florian Vlashin në Londër – Arti si kujtesë, udhëtim dhe shërbim -
Prezantohet në Lozanë libri “Për ata që s’u kthyen” -
Berlin
Arti shqiptar mahnit Berlinin me performancë ndërkombëtare
Jeta në Austri
-
Nesër Maratona e Vjenës 2026: Këto rrugë do të mbyllen Maratona e Qytetit të Vjenës 2026 sjell mbyllje të gjera rrugësh në Ringstraße, autostrada dhe ura;... -
Austri
Brendon Ahmeti nga Austria përfshihet në listën e Forbes me start-upin Synaps -
Kostot e strehimit për studentët në Austri rriten në 586 euro në muaj -
22 kompani të shqiptarëve nga Austria marrin pjesë në Samitin e Diasporës në Tiranë -
19 vjeçari që humbi jetën në Austri është nga komuna e Rahovecit














