Lajme
Blerta Basholli: Si shqiptare në Kosovë ndihesha sikur i përkisja një shtrese më të ulët
Regjisorja kosovare rrëfen për “Associated Press” përvojat e saj gjatë okupimit, ndërsa filmi i saj i ri “Dua” është kandidatura e Kosovës për “Oscar 2027”.
Filmi më i ri i regjisores kosovare Blerta Basholli, “Dua”, është përzgjedhur si kandidatura zyrtare e Kosovës për çmimet “Oscar 2027”, duke u bërë vepra e dytë e saj që i dorëzohet Akademisë së Filmit për t’u marrë në konsideratë për çmimet më prestigjioze të kinemasë, transmeton albinfo.ch.
Në një intervistë për agjencinë Associated Press, Basholli ka folur për përvojat personale që frymëzuan filmin, duke rrëfyer se si ndihej gjatë viteve të okupimit në Kosovë.
“Gjithmonë jam ndier e vogël duke qenë shqiptare në Kosovë gjatë kohës së okupimit, edhe pse ne ishim shumicë. Gjithmonë ndiheshim më pak të rëndësishëm… Gjithmonë të krijohej ndjenja se vije nga një shtresë më e ulët”, është shprehur ajo.
Sipas regjisores, shqiptarët në atë kohë përballeshin me kufizime të shumta, nga mungesa e kushteve në shkolla deri te pamundësia për të udhëtuar lirshëm.
“Për mua ishte shumë e rëndësishme të tregoja atë që kemi kaluar, mënyrën se si njerëzit përpiqen të jetojnë edhe në rrethana të tilla dhe si përpiqen ta ndryshojnë realitetin e tyre. Doja t’ia rrëfeja këtë botës”, ka thënë Basholli.
Filmi “Dua” bazohet në përvojat e saj gjatë rritjes në Kosovë në fund të viteve ’90 dhe ndjek historinë e një vajze adoleshente që përpiqet të përballet me sfidat e moshës, ndërsa vendi ndodhet në prag të luftës.
Basholli ka pranuar se realizimi i këtij projekti ishte shumë më emocional sesa filmi i saj i parë, “Hive”, pasi historia lidhet drejtpërdrejt me jetën e saj.
“Fakti që ‘Dua’ është sërish kandidatura e Kosovës për ‘Oscars’ është një nder dhe një kënaqësi e madhe. Tani duhet të punojmë fort dhe të zhvillojmë fushatën promovuese”, ka deklaruar ajo.
Regjisorja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e tregimit të historive nga Kosova, duke vlerësuar se, edhe pse vendi ka një industri të vogël filmike, ka histori të mëdha për të rrëfyer.
“Nuk kemi buxhete të mëdha, por kemi histori të mëdha dhe zemra të mëdha”, është shprehur Basholli, duke shtuar se suksesi i filmave kosovarë po frymëzon brezin e ri të kineastëve.
Filmi “Dua” pati premierën botërore në edicionin e 79-të të Festivalit të Filmit në Cannes, ku fitoi çmimin “SACD” për skenarin më të mirë në seksionin “Semaine de la Critique” (Java e Kritikës), duke nisur me sukses rrugëtimin ndërkombëtar drejt garës për “Oscar 2027”. /Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Bie numri i kosovarëve që punojnë në Slloveni Nga rreth 16,600 në mars 2024, numri i shtetasve të Kosovës në punësim ka zbritur në... -
Rame Lahaj nis në Cyrih turneun ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN” -
“Shame and Money” prezantohet para publikut në Këln -
“Liria Ka Emër” njofton për protesta në katër qytete të Gjermanisë më 26 shtator -
Shqiptarja ndalohet në aeroportin e Memmingenit për tejkalim të qëndrimit
Jeta në Austri
-
DHL i rrit çmimet në Austri me 5,4 për qind DHL Express i përshtat tarifat e saj në fillim të vitit; kjo do të jetë e... -
Dardanët nisin përgatitjet për ndeshjen ndaj Austrisë -
Austria heq vinjetën ngjitëse, nga viti 2027 vetëm në format digjital -
Vjenë
Tringa Haxhiu përfundon me notën maksimale Masterin në të Drejtën Ndërkombëtare Biznesore në Universitetin e Vjenës -
Në Austri ndryshojnë kufijtë e tatimit, punëtorëve mund t’u rritet paga neto











