Kosova
BE reagon pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe formimit të Qeverisë
Bashkimi Evropian ka deklaruar se është në dijeni të votimit të së dielës, ku u bë konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe formimi i Qeverisë së re, por shtoi se i takon gjykatës më të lartë në vend që të japë vlerësimin rreth kushtetutshmërisë së themelimit të këtyre institucioneve.
“Jemi në dijeni të votimeve të së dielës, si dhe vendimeve për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Gjithashtu, jemi në dijeni edhe për kërkesën e paraqitur në Gjykatën Kushtetuese lidhur me kushtetutshmërinë e këtyre vendimeve. I takon Gjykatës Kushtetuese të shprehet për kërkesën e paraqitur”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.
Zëdhënësi theksoi po ashtu se Kosovës i duhen institucione “plotësisht të konsoliduara për të çuar përpara reformat dhe për të avancuar në rrugën e integrimit në BE, përfshirë edhe në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, transmeton albinfo.ch.
Në seancën konstituive të mbajtur të dielën, më 13 shtator, u zgjodhën nënkryetarët e Kuvendit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga komuniteti serb dhe pakicat joserbe, teksa kryetarja Albulena Haxhiu e shpalli të konstituuar organin ligjvënës pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës – fuqisë së dytë politike në vend.
Pak orë më vonë, u mbajt një seancë e jashtëzakonshme ku u votua Qeveria e re e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti. Kjo seancë u bojkotua nga PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca, ndërkaq në të morën pjesë vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të Kurtit dhe të komuniteteve joshumicë.
PDK-ja, e cila nuk mori pjesë në seancën konstituive, paraprakisht tërhoqi kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare të Kuvendit, pasi LVV-ja nuk e kishte votuar në seancën e 11 shtatorit. LVV-ja më pas tha se do ta përkrahte kandidaturën e Çitakut, por PDK-ja nuk mori pjesë në seancë.
Po më 11 shtator ishte zgjedhur nënkryetari nga LVV-ja, ndërkaq Haxhiu ishte zgjedhur në krye të organit ligjvënës në seancën paraprake të mbajtur më 9 shtator.
Pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, PDK-ja iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me kërkesë që të vendosë masë të përkohshme ndaj Kuvendit të ri, derisa të shqyrtojë nëse konstituimi i tij është bërë në përputhje me Kushtetutën. Një zëdhënës i Komisionit Evropian gjithashtu konfirmoi se BE-ja është në dijeni edhe sa i përket kërkesës së paraqitur në Gjykatën Kushtetuese lidhur me kushtetutshmërinë e këtyre vendimeve, duke vlerësuar se i takon këtij institucioni të shprehet për kërkesën e paraqitur.
Dy deputetë të kësaj partie, Arian Tahiri dhe Përparim Gruda, së bashku me avokatin Faton Fetahu, e dorëzuan ankesën në emër të partisë të hënën në mëngjes.
Duke folur për mediat pas dorëzimit të ankesës, Tahiri tha se “është e rëndësishme që të vendoset masë e përkohshme fillimisht, në mënyrë që të mos shkaktohen dëme e situata më të rënda në kuptim juridik dhe institucional”.
Sipas tyre, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet e shkeli afatin kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, si dhe procedurën për thirrjen e seancës çdo 48 orë deri në konstituimin e tij.
Sipas një aktgjykimi të vitit të kaluar të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve. Ky afat përfundoi më 7 gusht 2026.
E-Diaspora
-
Kusari-Lila diskuton me përfaqësues nga Gjermania për investime në Kosovë Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka zhvilluar një takim me përfaqësues nga... -
“Tri Net Film Fest” nis sot në Winterthur, tre net me film, art dhe kulturë -
Zvicër
Argenita Fetahu sjell në Luzern ekspozitën personale “Beyond Silence” -
Policia holandeze jep detaje për protestën në Hagë: Dy të arrestuar, një polic i lënduar -
Austri
Shqiptari dënohet me gjashtë vjet burg në Austri për nëntë vjedhje
Jeta në Austri
-
Zbulohen mbi 18 kilogramë drogë: Arrestohen një shqiptar dhe një austriak U sekuestruan gjithsej 1.496,7 gramë kokainë, 16.952,4 gramë marihuanë, 58,8 gramë metamfetaminë kristalore, 160 euro para... -
Austri
Shqiptari dënohet me gjashtë vjet burg në Austri për nëntë vjedhje -
Një person nga Salzburgu fiton 111,5 milionë euro në EuroMillions -
Austri: Rregulli i ri i pensioneve duhet të sjellë më shumë para për të gjithë në të ardhmen -
Çdo i dyti nxënës në shkollat vjeneze nuk flet gjermanisht











