Lajme

Austria, destinacioni kryesor që zgjedhin shqiptarët për të studiuar

Sipas statistikave të STATcube, numri i përgjithshëm i studentëve nga Shqipëria e Kosova në Universitetet e Austrisë për semestrin 2020/21 ishte gjithsej 1362, ose 140 studentë më shumë në krahasim me semestrin 2017/18

Austria është bërë një nga destinacionet e preferuara të studentëve shqiptarë për të ndjekur studimet e tyre.

Studimet jashtë vendit ofrojnë jo vetëm mundësinë e zhvillimit profesional, zgjerimit të dijes, por edhe na plotësojnë si individë, pasi ballafaqohemi me shumë sfida dhe fitojmë përvoja nga më të ndryshmet.

Gjithashtu edhe afërsia gjeografike me shtetin austriak është një faktor i rëndësishëm, i cili ndikon pa dyshim në këtë vendimmarrje.

Sipas statistikave të STATcube, numri i përgjithshëm i studentëve nga Shqipëria e Kosova në Universitetet e Austrisë për semestrin 2020/21 ishte gjithsej 1362, ose 140 studentë më shumë në krahasim me semestrin 2017/18. Ky numër ka ardhur duke u rritur, pasi vetëm në dy vjetët e fundit afër 600 studentë kanë filluar studimet e tyre në Austri. Në këtë statistikë nuk janë përfshirë studentët shqiptarë me nënshtetësi austriake, studentët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, etj.

Pothuajse të gjitha universitetet në Austri ofrojnë larmi kursesh e drejtimesh, të cilat japin mundësinë e kërkimeve shkencore dhe trajnimeve në varësi të aftësive, me qëllim përforcimin e tyre. Në këtë mundësi zgjedhjeje, studentët shqiptarë preferencat e tyre i kanë të qarta.

Kështu, disa studentë të dalluar shqiptarë, të universiteteve të ndryshme të Austrisë, për albinfo.at, ndajnë përvojat e tyre për lexuesit tanë.

Pse pikërisht Austria?

Rina Demjaha, studente në “Medical University of Graz” thotë se Universiteti i Mjekësisë në Graz është një ndër universitetet me renome ndërkombëtare, që prej vitesh cilësohet si një nga më të mirët në botë, pasi në programin e doktoratës ofron mentorim shkencor me teknikat më të avancuara dhe kualitet të lartë trajnimi në një mjedis kërkimor integrues. “Përveç mundësive të shumta për ngritje profesionale dhe akademike, Austria si një shtet në qendër të Evropës mundëson bashkëpunime internacionale dhe lidhje me vende të ndryshme të botës. Për më tepër njihet si vend, i cili ka kulturë të pasur dhe ekuilibër të mirë mes punës dhe jetës personale, elemente këto të domosdoshme për të pasur një jetë të këndshme dhe të rehatshme“, shprehet Dr. Rina Demjaha, e cila momentalisht është duke ndjekur studimet e doktoratës në Departamentin e Neurologjisë në „Medical University of Graz“.

Endrit Sadiku

Arsye të shumta, por edhe konkrete se përse Austria është favorshme dhe ka numër të madh të studentëve shqiptarë në universitetet e saj, na tregon edhe Endrit Sadiku, student në nivelin master në Universitetin Teknik të Vjenës.

„Austria, si shtet mik i Kosovës, njeh diplomat e shkollës së mesme të Kosovës; studimet janë të përballueshme për nga aspekti financiar dhe mundësia e gjetjes së një pune me gjysmë orari është reale; kualiteti i studimeve është shumë i lartë, meqë në Austri, shkenca dhe industria janë të lidhura ngushtë; është relativisht afër vendlindjes sime, Kosovës dhe komuniteti shqiptar është solid dhe i pasur me njerëz të shkolluar e profesionistë“, shton Endrit Sadriu, i cili vijon studimet në drejtimin “Software Engineering and Internet Computing”.

Ideja për të ardhur në Austri, përkatësisht në Vjenë për studenten Alba Gunbardhi në fillim kishte qenë disi rastësore, por duke hulumtuar, mësoi për shkollimin e nivelit të lartë dhe me një kosto të përballueshme, në krahasim me vendet e tjera të Bashkimit Evropian. “Arsye tjetër është padyshim edhe mundësia për të jetuar në një nga kryeqytetet botërore të artit, kulturës dhe shkencës“ thotë Alba Gunbardhi, studente e Matematikës Teknike dhe Inxhinierisë Bio-mjekësore, në Universitetin Teknik të Vjenës.

Alba Gunbardhi

Çfarë ofron Austria për studentët më shumë se shtetet e tjera?

Të studiosh në universitetet austriake nuk do të thotë që patjetër të njohësh gjuhën gjermane. “Austria, e në veçanti Salzburgu, ofron programe edhe në gjuhën angleze, gjë që është mjaft e favorshme për studentët, të cilët nuk e njohin mirë gjuhën gjermane. Është vend ku lehtë mund të gjesh një punë studentore dhe të përballosh jetesën e studimet. Po ashtu, në Universitetin ku studioj ka shumë diversitet dhe mund të mësosh shumë jo vetëm në fushën ku ne jemi duke u specializuar, por edhe për kultura të ndryshme“, shprehet kështu Njomza Berisha, studente e nivelit master në Shkenca Politike në Universitetin e Salzburgut “Paris Lodron”.

Ndërkohë, dr.Rina Demjaha shton: „Akademia dhe shkenca zënë vend të veçantë në Austri, prandaj kanë mbështetje të plotë nga institucione të ndryshme. Kandidatët e doktoratës përzgjidhen në mënyrë tejet selektive dhe u ofrohen kushte të mirëfillta të punës, zhvillim të vazhdueshëm të aftësive dhe lehtësim në qasje të burimeve me teknika te avancuara, në mënyrë që të kryhen studime kërkimore të cilësisë së lartë“, thotë ajo.

Njomza Berisha

Si e krahasoni jetën studentore në Austri me atë në vendin tuaj të lindjes?

Jeta akademike në Austri dhe jeta akademike nga universitetet prej nga vijnë studentët shqiptarë sipas tyre dallojnë shumë. “Ndryshon qasja ndaj shkencës, plagjiaturës dhe mënyrës së zhvillimit të studimit përmes ligjëratave dhe punimeve. Studentët në Austri janë më të angazhuar se sa që tregon përvoja ime në Prishtinë. Këtu praktika dhe teoria janë të bashkëdyzuara, kurse në Prishtinë kryesisht kam qenë e angazhuar në studime në pjesën teorike. Relacioni student-profesor në Austri është shumë i ndërlidhur dhe studenti këtu bën një jetë tipike studentore me një mirëqenie normale”, thotë Njomza Berisha.

Rina Demjaha

Meqenëse dr.Rina Demjaha ka përfunduar studimet e mjekësisë së përgjithshme në Universitetin e Stambollit, ajo bëri një krahasim mes jetës studentore në Turqi me atë në Austri. “Për aq kohë sa jam duke jetuar në Austri kam vënë re se studentët këtu janë shumë më të relaksuar dhe kanë një tempo më të qetë të studimeve se sa ata në Turqi. Sistemi i edukimit në Austri bashkë me stilin e jetës në përgjithësi është i fokusuar në mbajtjen e balancës studime-jetë-punë. Në anën tjetër, Stambolli në veçanti është një qytet metropol me dendësi të madhe të popullsisë dhe shtrirje më të madhe gjeografike, prandaj edhe ka një jetë jashtëzakonisht dinamike, si gjatë jetës studentore ashtu edhe tutje. Edhe pse si qytet Stambolli ofron mundësi të shumta edukative dhe kulturore, jeta e ngjeshur studentore dhe sistemi kompakt universitar lënë kohë të lirë shumë të limituar, sidomos për studentët në fushën e shkencave mjekësore”, shprehet ajo.

Për fund, studentët tanë të anketuar për albinfo.at, thanë se  sado që Austria është një nga vendet evropiane më të zhvilluara dhe me kulturë shumë të pasur, ambientimi në fillimet e tyre ka qenë i vështirë. Shumica e studentëve largohen nga vendlindja e tyre në moshë mjaft të re dhe delikate, ata ballafaqohen për herë të parë me sfida të llojllojshme që duhet t`i zgjidhin vetë, por dëshira për t’u shkolluar edhe më tutje tejkalon çdo vështirësi.

Box

Mundësia për të studiuar në gjuhën angleze

Të studiosh në universitetet austriake nuk do të thotë që patjetër të njohësh gjuhën gjermane. “Austria, e në veçanti Salzburgu, ofron programe edhe në gjuhën angleze, gjë që është mjaft e favorshme për studentët, të cilët nuk e njohin mirë gjuhën gjermane. Është vend ku lehtë mund të gjesh një punë studentore dhe të përballosh jetesën e studimet.