E-Diaspora
Apeli i familjes së pedagogut të burgosur shqiptar
Marjus Hoxha sapo ka mbushur 25 vjeç dhe ndodhet në qelinë e paraburgimit të qytetit të Gaziantepit në Turqi, i arrestuar më 24 korrik si mbështetës i grushtit të shtetit
Një pedagog i ri shqiptar nga qyteti i Elbasanit vazhdon të mbahet në burg në qytetin Gaziantep në Turqi prej gati 3 muajsh, i dyshuar si mbështetës i grushtit të shtetit të 15 korrikut, shkruan ‘BIRN’.
Pas dështimit të grushtit të shtetit, të paktën 40,000 vetë janë arrestuar në Turqi si simpatizantë të lëvizjes Guleniste, përfshirë 10,000 ushtarakë dhe 2,475 gjyqtarë, ndërsa mbi 15,000 mësues u pezulluan nga puna, përcjell albinfo.ch.
Në përgjigje të grushtit të shtetit që tronditi Ankaranë dhe Stambollin tre muaj më parë, i orkestruar nga një pjesë e vogël e ushtrisë, qeveria turke ka arrestuar dhjetëra mijëra të dyshuar si anëtarë të lëvizjes Guleniste, të cilën e akuzon si organizatore të puçit të dështuar ushtarak, përcjell albinfo.ch.
Arrestimet dhe spastrimet janë shtrirë në ushtri, gjyqësor dhe në rrethet akademike, ku edhe një pedagog i ri shqiptar nga Elbasani është ndaluar si pjesë e kundërpërgjigjes së gjerë të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, të cilën disa media ndërkombëtare e kanë anatemuar si “një puç të dytë”.
Marjus Hoxha sapo ka mbushur 25 vjeç dhe ndodhet në qelinë e paraburgimit të qytetit të Gaziantepit në Turqi, i arrestuar më 24 korrik si mbështetës i grushtit të shtetit.
“Ne kontaktet i kemi pasur deri ditën e arrestimit. Një ditë më pas i binim telefonit e nuk kishim asnjë lloj kontakti”, tregon Bashkim Hoxha, babai i Marjusit.
“U interesuam në konsullatën tonë në Stamboll dhe na lajmëruan që e kanë arrestuar. Na thanë se e akuzojnë se ka lidhje me grushtin e shtetit”, kujton ai.
Babai i Marjusit, Bashkim Hoxha shprehet se i biri është arrestuar padrejtësisht dhe se ai gjithmonë ka pasur një sjellje shembullore në Turqi, ku edhe është vlerësuar nga autoritetet vendore. “Marjusi mbahet në qeli padrejtësisht. Ai është një djalë shembullor dhe asgjë nga çfarë është ngritur nuk qëndron”, tha Bashkim Hoxha për ‘BIRN’.
“Ai ka disa certifikata vlerësimi nga shteti turk gjatë studimeve të tij që tregojnë se kush është Marjus Hoxha në të vërtetë”, shtoi ai.
Bashkim Hoxha tregon se pas arrestimit të djalit në Gaziantep ka kontaktuar menjëherë me Ministrinë e Jashtme që të interesohej për fatin e tij, por përgjigjja e autoriteteve shqiptare ka qenë e ngadaltë. Vetëm pas më shumë se dy muajsh, një përfaqësues i ambasadës shqiptare në Ankara ka shkuar ta vizitojë në qeli.
Sipas Bashkim Hoxhës, në momentin që është arrestuar, Marjusi ka pasur në xhep vetëm 1 dollar dhe 5 euro. Familja ka arritur të sigurojë një avokat, por procedurat mes mijëra të arrestuarve duken të vështira dhe liria për të riun nga Elbasani, e largët.
“Marjus Hoxha është i vetmi shtetas shqiptar që është arrestuar në Turqi me akuzën e përfshirjes në grushtin e shtetit të 15 korrikut. Shteti duhet të ndërhyjë për nënshtetasin e vet. Ai është i pafajshëm dhe nuk mund të trajtohet si një njeri që ka bërë krime”, shtoi ai.
Të tjera nga E-Diaspora
E-Diaspora
-
Baleti Kombëtar i Kosovës shkëlqen në festivalin ndërkombëtar të vallëzimit në Austri Shfaqja “Terminal” u mirëprit me duartrokitje në Graz, duke përfaqësuar denjësisht Kosovën në skenën artistike evropiane.... -
Sot i jepet lamtumira e fundit 20-vjeçarit nga Kosova që u vra tragjikisht në Suedi -
Mira Murati prezanton modelin e parë të inteligjencës artificiale “Inkling” -
SHBA
Armian Hanelli, shqiptari që ndërtoi karrierë nga Intel te NASA -
Cyrih
Elbenita Kajtazi mbyll me sukses debutimin në Operën e Cyrihut
Jeta në Austri
-
Kurrikula e re e shkollave të mesme austriake shton inteligjencën artificiale, demokracinë dhe median Ministria e Arsimit e Austrisë ka hapur konsultime publike mbi kurrikulat e reja për shkollat e... -
Baleti Kombëtar i Kosovës shkëlqen në festivalin ndërkombëtar të vallëzimit në Austri -
Vjena rrit taksën turistike -
Problemi i drogës po rritet në Vjenë -
„Dita Kulturore Shqiptare“ në Graz, simbol i bashkimit të shqiptarëve në diasporë











