Skip to content

“Shteti ka kufij, gjuha jo”, mesazhi i ministrit Ferit Hoxha në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Mesazhin e tij, ministri e ndau edhe me 160 të rinj e të reja nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, të cilët janë mbledhur në Tiranë në kuadër të projektit “Foli Shqip”

Me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, ministri Ferit Hoxha ka përcjellë një mesazh për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës amtare.

“Shteti ka kufij, gjuha jo!”, ishte mesazhi i ministrit Hoxha në këtë ditë të rëndësishme për historinë, kulturën dhe identitetin kombëtar shqiptar, transmeton albinfo.ch.

Duke u bërë thirrje shqiptarëve që të flasin dhe ta ruajnë gjuhën shqipe, ai theksoi se gjuha është një nga elementet më të fuqishme që bashkon shqiptarët, pavarësisht kufijve shtetërorë dhe vendeve ku jetojnë.

Mesazhin e tij, ministri e ndau edhe me 160 të rinj e të reja nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, të cilët janë mbledhur në Tiranë në kuadër të projektit “Foli Shqip”.

Ky aktivitet synon të promovojë përdorimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe, si dhe të forcojë lidhjet ndërmjet të rinjve shqiptarë nga rajone të ndryshme.

Në mesazhin e tij, Hoxha vuri në pah se, megjithëse shqiptarët jetojnë në shtete të ndryshme dhe në vende të shumta të botës, gjuha shqipe mbetet një urë e përbashkët komunikimi, kulture dhe identiteti.

“Sepse shtetet kanë kufij, por gjuha shqipe na bashkon përtej tyre, në identitet, histori dhe në të ardhmen tonë të përbashkët”, thuhet në mesazhin e shpërndarë me rastin e kësaj dite.

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe shënohet çdo vit më 22 nëntor, në përkujtim të Kongresit të Manastirit të vitit 1908, një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e arsimit dhe kulturës shqiptare. Kongresi hodhi themelet e njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e arsimit, letërsisë dhe komunikimit në gjuhën amtare.

Kjo ditë ka rëndësi të veçantë edhe për diasporën shqiptare, ku ruajtja dhe përcjellja e gjuhës shqipe te brezat e rinj mbetet një element thelbësor për mbajtjen gjallë të lidhjeve me prejardhjen, kulturën dhe identitetin kombëtar.