Futboll

Albian Ajeti largohet nga Baseli, kalon te lideri i Superligës zvicerane

Sulmuesi shqiptar do ta vazhdojë sezonin te FC Lugano, në formë huazimi nga Baseli. Marrëveshja përfshin edhe opsionin e blerjes përfundimtare.

Një lëvizje e rëndësishme ka ndodhur në futbollin zviceran, me Albian Ajetin që ka ndryshuar klub. Sulmuesi 29-vjeçar i është bashkuar FC Luganos, lider aktual i Superligës zvicerane, duke u larguar përkohësisht nga FC Basel, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportimeve të “Blick”, marrëveshja është arritur mes dy klubeve dhe Ajeti do të luajë te Lugano deri në fund të sezonit 2026/27. Marrëveshja përfshin gjithashtu opsionin që Lugano ta blejë përfundimisht futbollistin.

Transferimi vjen në një moment kur Ajeti kishte humbur hapësirën në formacionin e Baselit. Sulmuesi shqiptar së fundmi ishte lënë jashtë skuadrës në disa ndeshje dhe kishte mbetur pa minuta loje që nga 1 gushti.

 

Mund të debutojë kundër ish-klubit

Kalimi te Lugano mund t’i japë Ajetit mundësinë për t’u rikthyer menjëherë në fushë. Nëse aktivizohet, debutimi i tij mund të jetë pikërisht në ndeshjen e kësaj fundjave kundër FC Basel, klubit nga i cili sapo është larguar.

Lugano e sheh Ajetin si përforcim të rëndësishëm për repartin ofensiv, ndërsa lojtari synon të rikthehet në qendër të vëmendjes dhe të fitojë sërish minuta të rregullta.

 

Sezoni i artë me Baselin

Ajeti u rikthye te Baseli në shkurt të vitit 2024 dhe pati një sezon veçanërisht të suksesshëm në edicionin 2024/25, kur skuadra fitoi dy trofe.

Në atë sezon, sulmuesi realizoi 12 gola dhe regjistroi 9 asistime, duke luajtur një rol të rëndësishëm në suksesin e Baselit.

Pas paraqitjeve të mira, klubi ia vazhdoi kontratën dhe pritej që Ajeti të merrte një rol edhe më të rëndësishëm në skuadër. Megjithatë, sezoni i fundit nuk shkoi sipas pritshmërive.

Trajneri Stephan Lichtsteiner e la atë jashtë skuadrës në ndeshjet ndaj FC Zürich dhe Young Boys, duke bërë që hapësira e tij te Baseli të zvogëlohej ndjeshëm.


Baseli: Huazimi ishte zgjidhja më e mirë

Drejtori sportiv i ekipit të parë të Baselit, Valentin Stocker, ka thënë se largimi i Ajetit nuk ishte një vendim i lehtë, por se huazimi ishte zgjidhja më e mirë për të dyja palët.

“Për ne nuk është kurrë një moment i bukur kur largohet një lojtar vendas. Për shkak të perspektivës së kufizuar sportive aktualisht, së bashku me Albianin kemi vendosur se huazimi ka më shumë kuptim për të dyja palët”, deklaroi Stocker.

Tashmë, Ajeti do të ketë mundësinë të nisë një kapitull të ri në Ticino, me synimin për të rikthyer formën dhe golat që e karakterizuan gjatë periudhës së tij të suksesshme me Baselin./Albinfo.ch.