Lajme

Ajeti: Dy kandidatë nga Kosova garojnë për zgjedhjet e radhës në landin e Berlinit

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka njoftuar se dy kandidatë me prejardhje nga Kosova garojnë për zgjedhjet e radhës në landin e Berlinit.

“Sot pata kënaqësinë të mirëpres Afërdita Suka dhe Klevis Knushi, me prejardhje nga Kosova, të cilët kandidojnë në zgjedhjet e Berlin-it që do të mbahen më 20 shtator 2026. Aferdita Suka (Grüne) kandidon për deputete në Senatin e Berlinit për distriktin Tempelhof, ndërsa Klevis Knushi (Grüne) për Asamblenë e Neukölln. Ishte kënaqësi të bisedonim dhe të shkëmbenim ide rreth angazhimit të tyre politik dhe për forcimin e zërit të tyre në politikën dhe politikbërjen gjermane”, ka shkruar ai, transmeton albinfo.ch.

Ajeti ka ftuar mërgatën që jeton në këtë land të shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe të marrin pjesë në zgjedhjet e landeve gjermane.