Shkencëtarët në ETH Zürich po testojnë një qasje të re në kërkimin kundër sëmundjes së Alzheimerit. Ata kanë zhvilluar një substancë eksperimentale të quajtur “Compound 10”, e cila në studimet me minj ka treguar potencial për mbrojtjen e qelizave nervore dhe ngadalësimin e disa proceseve të lidhura me sëmundjen, transmeton albinfo.ch.
Hulumtimi është përqendruar te enzima GRK2, e cila luan rol në funksionimin e qelizave. Studiuesit zbuluan se forma joaktive e kësaj enzime mund të dëmtojë sistemet që sigurojnë energjinë për qelizat e trurit dhe të kontribuojë në përparimin e sëmundjes neurodegjenerative.
“Compound 10” është projektuar për të ndërhyrë në këtë proces. Rezultatet e para janë premtuese, por hulumtimi është ende në fazë eksperimentale dhe nuk nënkupton një trajtim të gatshëm për njerëzit.
Studimi hap mundësi për kërkime të mëtejshme dhe për zhvillimin e qasjeve të reja në luftën kundër Alzheimerit./Albinfo.ch