Pas më shumë se dy vjetësh pa asnjë lobist të angazhuar në Shtetet e Bashkuara, këtë muaj Kosova ka lidhur marrëveshje me një kompani amerikane për t’i përfaqësuar interesat e saj në Uashington.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka lidhur kontratë me kompaninë amerikane Ballard Partners, e cila do të ofrojë këshillim strategjik dhe shërbime të marrëdhënieve me institucionet qeveritare amerikane, sipas një dokumenti të regjistruar në Departamentin amerikan të Drejtësisë, në kuadër të Aktit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA), raporton Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.
Kontrata është dorëzuar në FARA më 13 nëntor dhe ka hyrë në fuqi më 15 nëntor 2026, për një periudhë njëvjeçare.
Sipas marrëveshjes, Kosova do t’i paguajë kompanisë 50 mijë dollarë në muaj, apo gjithsej 600.000 dollarë për një vit. Kësaj shume i shtohen edhe shpenzimet e arsyeshme të udhëtimit dhe përfaqësimit, të cilat duhet të miratohen paraprakisht nga MPJD-ja.
Pagesat do të bëhen në këste tremujore prej 150.000 dollarësh. Të njëjtën kompani e pati angazhuar edhe zyra e Presidencës në vitin 2017, kur postin e presidentit e mbante Hashim Thaçi.
Në kontratë, të nënshkruar nga ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, dhe presidenti i kompanisë, Brian Ballard, thuhet se Ballard Partners do të këshillojë dhe përfaqësojë Kosovën lidhur me çështje që i konsideron të nevojshme dhe të përshtatshme për t’u trajtuar pranë Qeverisë federale amerikane. Dokumenti i regjistruar në FARA përmend lobimin dhe avokimin, përgatitjen dhe shpërndarjen e materialeve informative, si dhe diskutimin e mundësive të reja të bashkëpunimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.
Megjithatë, kontrata nuk specifikon objektiva konkrete politike për të cilat kompania do të angazhohet në emër të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për më shumë informacione, por nuk ka marrë ende përgjigje. Kjo Ministri, kishte lidhur kontratat e fundit të lobimit në SHBA në vitin 2023, kur udhëhiqej nga Donika Gërvalla, tani ministre e Drejtësisë.
Kosova pa kontrata lobimi që nga viti 2024
Në qershor të vitit 2023, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) kishte angazhuar dy kompani për lobim në SHBA: Afërdita Rakipi Communications LLC, në pronësi të Afërdita Rakipit, dhe Ambal LLC, në pronësi të Avni Mustafajt.
Sipas kontratave të nënshkruara më 26 qershor 2023, të dyja kompanitë u angazhuan për nga një vit, me synimin e deklaruar për “avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës”. Secila parashihej të paguhej nga 147 mijë euro, pra gjithsej 294 mijë euro.
Përveç pagesave të kontratës, ata kishin deklaruar edhe shpenzime shtesë, kryesisht për ushqim dhe udhëtime. Një pjesë e madhe e takimeve të deklaruara ishin zhvilluar në restorante në Prishtinë, ndonëse kontrata parashihte këshilla strategjike dhe përfaqësim të MPJD-së në SHBA.
Të dhënat e publikuara në FARA tregonin se, nga korriku 2023 deri në janar 2024, Rakipi kishte deklaruar dy kontakte, ndërsa Mustafaj katër. Në disa raste, të dy kishin raportuar takime me të njëjtët zyrtarë amerikanë në të njëjtën datë.
Kontratat përfunduan në fund të qershorit 2024 dhe nuk u vazhduan. Që nga atëherë, Kosova nuk ka pasur asnjë lobist në SHBA, ndërkohë që vendet e rajonit kanë nënshkruar disa të tilla.