Skip to content

Lopa hyri në oborrin e gjykatës, pronari ndalohet për 48 orë dhe më pas lirohet

Prokuroria e Prishtinës konfirmon lirimin në procedurë të rregullt të të dyshuarit, ndërsa rasti për dëmtim të pasurisë vazhdon.

Është liruar pronari i lopës që kishte hyrë në oborrin e degës së Gjykatës Themelore në Graçanicë, pasi fillimisht ndaj tij ishte caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, përcjell albinfo.ch.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë penale për veprën “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”. Masa e ndalimit është ndërprerë dhe ai është liruar në procedurë të rregullt.

Ngjarja ka ndodhur më 13 nëntor, kur lopa kishte hyrë në oborrin e gjykatës dhe kishte shkaktuar dëme në gjelbërim. Në deklaratën e dhënë në Polici, gjyqtari i intervistuar i kishte përshkruar dëmet si minimale.

Pronari kishte deklaruar në Polici se lopa i kishte humbur dhe se kjo ishte hera e parë që ajo kishte hyrë në atë oborr.

Pas intervistimit të palëve, ishte urdhëruar ndalimi i tij për 48 orë. Pavarësisht lirimit, procedurat lidhur me rastin do të vazhdojnë, ka bërë të ditur Prokuroria./Albinfo.ch