Skip to content

Cyrih: Dita e Dyerve të Hapura bashkon komunitetet në frymën e dialogut ndërfetar

Në kuadër të aktivitetit të organizuar nga VIOZ, vizitat e ndërsjella në xhami dhe në Kishën e Reformuar të Schwamendingenit sollën mundësi për njohje, bashkëbisedim dhe mirëkuptim.

Të shtunën, më 7 nëntor 2026, në Cyrih u zhvillua një takim ndërfetar në kuadër të projektit «Dita e Dyerve të Hapura të Xhamive», të organizuar nga VIOZ, organizata ombrellë e organizatave islame në Cyrih. Aktiviteti kishte në qendër respektin e ndërsjellë, dialogun dhe bashkëjetesën paqësore, bëhet e ditur në një komunikatë të organizatorëve, përcjell albinfo.ch.

Në mesin e vizitorëve që u mirëpritën në xhami ishin anëtarë të Kishës së Reformuar të Schwamendingenit dhe qytetarë të interesuar nga Cyrihu.

Gjatë pjesës së parë të takimit, vizitorët u njohën me ambientet e xhamisë, jetën fetare dhe veprimtarinë e komunitetit. Imami Fahredin Bunjaku mbajti një ligjëratë informuese për Islamin dhe aktivitetet që zhvillohen në xhami, ndërsa pjesëmarrësit patën mundësi të bashkëbisedonin në një atmosferë të hapur dhe miqësore.

Programi vijoi me një vizitë të përbashkët në Kishën e Reformuar të Schwamendingenit. Atje, pjesëmarrësit u pritën nga pastorja Hoby Randriambola, e cila prezantoi ambientet e kishës, organizimin dhe jetën fetare të bashkësisë së saj.

Në përfundim të vizitës, pjesëmarrësit u rikthyen në xhami, ku u shtrua një pritje me ushqime dhe specialitete tradicionale shqiptare. Sipas komunikatës, takimi vijoi me biseda dhe njohje të reja, duke kontribuuar në forcimin e mirëkuptimit ndërmjet dy komuniteteve.

Organizatorët theksojnë se hapja ndaj njëri-tjetrit dhe dialogu ndërfetar janë të rëndësishëm për bashkëjetesën harmonike në një shoqëri shumëkulturore.

Ata falënderuan vizitorët, Kishën e Reformuar të Schwamendingenit dhe të gjithë kontribuuesit, duke shprehur dëshirën që bashkëpunimi të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Më shumë foto:hausdesfriedens.ch