Skip to content

Pensionet Kosovë–Zvicër: Thirrje për shqiptarët që t’i njohin të drejtat e tyre para pensionimit

Dy takime informuese do të mbahen më 12 nëntor në Gjenevë dhe më 13 nëntor në Renens, për t’i ndihmuar shqiptarët që jetojnë në Zvicër të kuptojnë të drejtat e tyre pensionale në kuadër të Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.

Për shumë shqiptarë që kanë jetuar dhe punuar për vite me radhë në Zvicër, pensionimi është një etapë e rëndësishme që kërkon përgatitje dhe informim, njohja e të drejtave pensionale dhe e procedurave përkatëse mund të ndihmojë në shmangien e vështirësive administrative në të ardhmen.

Pikërisht për këtë arsye, organizata EPER, përmes programit «Âge et Migration», me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, organizon dy takime informuese për komunitetin shqiptar në Zvicër.

Takimet synojnë t’u japin pjesëmarrësve informacione mbi të drejtat që burojnë nga Marrëveshja për Sigurimet Shoqërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Zvicrës, si dhe mbi procedurat që duhet të ndjekin për të sqaruar situatën e tyre pensionale.

Pse është e rëndësishme të informoheni para pensionimit?

Shumë bashkatdhetarë që i afrohen moshës së pensionimit mund të kenë pyetje lidhur me periudhat e punës në Kosovë, dokumentet që nevojiten për të dëshmuar kontributet dhe mënyrën se si të drejtat pensionale në të dy vendet mund të ndikojnë në situatën e tyre.

Informimi në kohë është veçanërisht i rëndësishëm për personat që kanë punuar në Kosovë, por nuk i posedojnë më të gjitha dokumentet apo librezat e punës.

Gjatë takimeve do të trajtohen disa çështje konkrete:

1.Çfarë parashikon marrëveshja Kosovë–Zvicër për sigurimet shoqërore dhe si ndikon ajo në të drejtat pensionale?

2.Kush ka të drejtë në pensionin kontributdhënës të Kosovës dhe si përcaktohet kjo e drejtë?

3.Çfarë mund të bëjnë personat që nuk kanë dokumente për të dëshmuar vitet e punës?

4. Si mund të dëshmohet e drejta ose mungesa e së drejtës për pension në Kosovë, veçanërisht gjatë procedurave për përfitime plotësuese (PC) në Zvicër?

Këto janë pyetje që mund të kenë rëndësi të drejtpërdrejtë për të ardhurat dhe sigurinë financiare të personave pas pensionimit.

Përfaqësues nga Kosova do t’u përgjigjen pyetjeve

Në takim do të marrë pjesë Berat Zhinipotoku, udhëheqës i Divizionit për Pensione të Jashtme në Kosovë.

Prania e tij do t’u japë pjesëmarrësve mundësinë të marrin sqarime lidhur me procedurat dhe institucionet përgjegjëse për çështjet pensionale.

Takimet do të përmbyllen me një koktej, duke krijuar mundësi për vazhdimin e bisedave në një atmosferë më joformale.

Datat dhe vendet e takimeve

Gjenevë, e enjte, 12 nëntor 2026, ora 18:30

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës

Rue de Lausanne 63, 1202 Genève.

Renens, e premte, 13 nëntor 2026, ora 19:00

Maison du Peuple, Renens.

Një thirrje për shqiptarët që po i afrohen pensionimit

Organizatorët ftojnë të gjithë bashkatdhetarët e interesuar të marrin pjesë në këto takime.

Në veçanti, kjo është një mundësi për shqiptarët që po i afrohen moshës së pensionimit, si dhe për ata që kanë punuar në Kosovë dhe në Zvicër, që të informohen për të drejtat dhe dokumentacionin e nevojshëm.

Përgatitja për pension nuk duhet të fillojë vetëm në momentin kur përfundon jeta profesionale. Sqarimi i të drejtave dhe mbledhja e dokumenteve në kohë mund të ndihmojnë në shmangien e vonesave dhe vështirësive gjatë procedurave të pensionimit.

Prandaj, pjesëmarrja në këto takime është një mundësi që nuk duhet neglizhuar. Të jesh i informuar sot do të thotë të jesh më i përgatitur për të nesërmen.

Për informacione të mëtejshme:

Luljeta Hajzeraj

Tel.: +41 77 498 35 70

Email: [email protected]