Rreth 41,500 nxënës dhe mësimdhënës u prekën nga vjedhja e të dhënave personale. Policia po heton rastin, ndërsa autoritetet dyshojnë se sulmi mund të ketë lidhje me një person të brendshëm.
Një nxënës dyshohet se mund të jetë i përfshirë në sulmin kibernetik ndaj platformës së mbështetjes teknike të shkollave të mesme dhe profesionale në kantonin Vaud të Zvicrës, ku janë kopjuar të dhënat personale të rreth 38 mijë nxënësve dhe 3,500 mësimdhënësve.
Sipas raportimeve të mediave zvicerane të 2 nëntorit 2026, autoritetet po hetojnë mundësinë që rasti të jetë i lidhur me një person të brendshëm. Megjithatë, policia ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht dyshimin se përgjegjës për sulmin mund të jetë një nxënës.
Sipas autoriteteve, nga platforma janë marrë emrat, mbiemrat, adresat elektronike shkollore dhe përmbajtja e disa kërkesave për mbështetje teknike. Ndërkohë, notat, dosjet shkollore dhe fjalëkalimet nuk janë komprometuar.
Qasja e paautorizuar është zbuluar më 26 tetor, ndërsa platforma është shkëputur menjëherë nga interneti dhe është siguruar. Rasti i është raportuar autoriteteve federale për sigurinë kibernetike dhe institucioneve për mbrojtjen e të dhënave.
Drejtoria e Përgjithshme për Arsimin Pasobligativ ka konfirmuar se rasti është përcjellë në polici bashkë me informacionet dhe indiciet përkatëse. Hetimet janë në vazhdim, ndërsa kantoni pritet të paraqesë kallëzim penal.
Rreziku kryesor tashmë lidhet me përdorimin e të dhënave të vjedhura për mesazhe mashtruese (phishing), përmes të cilave sulmuesit mund të paraqiten si përfaqësues të shkollave apo të shërbimeve teknike.
Autoritetet u kanë bërë thirrje nxënësve dhe mësimdhënësve që të mos ndajnë fjalëkalimet, të tregojnë kujdes ndaj mesazheve urgjente ose të pazakonta dhe të raportojnë çdo komunikim të dyshimtë.