Holanda ka ndërmarrë një nismë të re ligjore që synon të kufizojë përdorimin e disa funksioneve të rrjeteve sociale, të cilat mund të nxisin varësinë te përdoruesit. Në mesin e tyre përfshihen lëvizja e pandërprerë nëpër përmbajtje (scrolling), videot që aktivizohen automatikisht, njoftimet e shpeshta dhe algoritmet që ndikojnë në vëmendjen e përdoruesve.
Propozimi është prezantuar nga deputetja Barbara Kathmann, e cila kërkon që kompanitë e teknologjisë të mbajnë përgjegjësi për ndikimin që platformat e tyre kanë në jetën e njerëzve, veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë. Sipas saj, këto funksione mund të dëmtojnë përqendrimin dhe të kenë pasoja në shëndetin mendor dhe fizik.
Në bazë të projektligjit, kompanitë teknologjike do të duhet të dëshmojnë se platformat e tyre nuk krijojnë varësi dhe nuk përdorin mekanizma që manipulojnë vëmendjen e përdoruesve.
Kjo nismë ka gjetur mbështetje edhe nga përfaqësues politikë të disa shteteve evropiane, përfshirë Gjermaninë, Francën, Belgjikën dhe Italinë.
Ndërkohë, Komisioni Evropian pritet që gjatë muajit nëntor të prezantojë një propozim për kufizimin e funksioneve që nxisin përdorimin e tepruar dhe varësinë nga platformat digjitale. Kjo nismë pritet të jetë pjesë e Aktit për Drejtësinë Digjitale.