Rreth 13 mijë sisteme të menaxhimit të frigoriferëve dhe pajisjeve ftohëse në 99 shtete janë të qasshme përmes internetit, duke ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike supermarkete, spitale dhe ferma.
Sistemet e ftohjes në dhjetëra supermarkete në Belgjikë janë bërë cak i një sulmi kibernetik, duke i detyruar dyqanet të hedhin ushqime në vlerë prej rreth 100 mijë eurosh.
Sulmi ka prekur rreth 40 supermarkete të rrjetit Delhaize, të paktën 15 dyqane Carrefour, pesë pika të rrjetit Spar, si dhe grupin e kasapëve De Laet en Van Haver. Sipas raportimeve të mediave belge, temperaturat në frigoriferë kanë arritur deri në 70 gradë Celsius.
Një zëdhënës i Delhaize i tha Euronews se kompania kishte identifikuar një incident të teknologjisë informative që preku sistemet e ftohjes në disa dhjetëra dyqane.
Probleme janë raportuar edhe në disa pika të zinxhirit suedez ICA.
Ky sulm vjen pas një rasti të ngjashëm më 12 tetor, kur sistemet e ftohjes në qindra supermarkete franceze u manipuluan nga sulmuesit kibernetikë.
Por, si është e mundur që dikush të marrë kontrollin e frigoriferëve apo ngrirësve të një supermarketi pa qenë fizikisht brenda tij?
Pse frigoriferët janë të lidhur me internetin?
Sistemet e mëdha të ftohjes në supermarkete menaxhohen nga njësi qendrore, të cilat kontrollojnë temperaturën, ciklet e shkrirjes së akullit dhe alarmet për secilin frigorifer dhe ngrirës në dyqan.
Lidhja e këtyre pajisjeve me internetin është një mundësi që ofrohet prej kohësh, sipas një hulumtimi të publikuar në tetor nga kompania e sigurisë kibernetike Forescout.
Kjo teknologji u mundëson kompanive të mirëmbajtjes së pajisjeve ftohëse të diagnostikojnë problemet dhe të ndryshojnë parametrat nga distanca, pa pasur nevojë të dërgojnë teknikë në secilin dyqan.
Danfoss, një nga furnizuesit kryesorë të këtyre sistemeve në Evropë, thotë se lidhja e pajisjeve të ftohjes me internetin mund të ulë me 15 deri në 30 për qind numrin e ndërhyrjeve të panevojshme të teknikëve, pasi shumë probleme mund të zgjidhen në distancë.
Monitorimi nga distanca u mundëson gjithashtu supermarketeve të ruajnë automatikisht evidencat e temperaturës, të cilat kërkohen nga rregullat e sigurisë ushqimore. Kështu, punonjësit nuk kanë nevojë të kontrollojnë manualisht secilën pajisje deri në katër herë në ditë.
Madje, udhëzuesit e instalimit të prodhuesve shpjegojnë se si këto sisteme mund të bëhen të qasshme nga jashtë, për shembull përmes konfigurimit të ruterit të dyqanit, në mënyrë që trafiku i internetit të drejtohet te kontrolluesi i sistemit të ftohjes.
Problemi, sipas Forescout, qëndron te ndarja e përgjegjësive. Kompania kontraktuese mund të menaxhojë softuerin, supermarketi mund të jetë pronar i pajisjeve, ndërsa departamenti i teknologjisë informative mund të jetë përgjegjës për lidhjen me internetin.
Nëse përgjegjësitë nuk përcaktohen qartë, asnjëra palë mund të mos ketë një pasqyrë të plotë të sistemeve që janë të ekspozuara ndaj internetit, theksojnë studiuesit.
Një tjetër problem është vjetërsimi i pajisjeve. Njëri prej kontrolluesve të Danfoss-it, i përfshirë në këtë rast, nuk mbështetet më që nga maji i vitit 2021. Kjo do të thotë se ai nuk merr më përditësime sigurie, duke mbetur i ekspozuar ndaj sulmeve nga pajisje të jashtme.
Sa i madh është rreziku?
Duke përdorur Shodan, një motor kërkimi që identifikon pajisjet e lidhura me internetin, studiuesit e Forescout zbuluan 12.976 shërbime të ekspozuara për menaxhimin e sistemeve të ftohjes, të shpërndara në 6.017 adresa interneti në 99 shtete dhe territore.
Shumica e tyre i përkasin dy familjeve të produkteve: sistemeve XWEB të Copeland dhe Dixell, me 7.075 raste, si dhe StoreView të Danfoss-it, me 4.697 raste.
Sipas hulumtimit, 80 për qind e shërbimeve të Danfoss-it funksiononin me versione të vjetra të firmuerit (firmware), të cilat nuk përmbanin përditësimet që korrigjojnë dobësitë e njohura të sigurisë.
Megjithatë, këto shifra tregojnë numrin e sistemeve të ekspozuara në internet dhe jo numrin e pajisjeve që janë sulmuar me sukses.
Rreziku nuk kufizohet vetëm te supermarketet. Të njëjtat sisteme përdoren edhe në industrinë e përpunimit të ushqimit, kantinat e verës, depot e frutave, fermat dhe pajisjet ftohëse në spitale.
Sulmuesit nuk kanë domosdoshmërisht nevojë për programe të sofistikuara keqdashëse. Pasi të sigurojnë qasje në sistem, ata mund të shfrytëzojnë funksionet e zakonshme për të ndryshuar temperaturën, për të aktivizuar ciklet e shkrirjes së akullit apo për të çaktivizuar alarmet.
Sipas Forescout, këto ndryshime mund të duken si veprime të zakonshme të sistemit, duke e bërë më të vështirë identifikimin e ndërhyrjes.
Çfarë mund të bëhet për të parandaluar sulmet?
Rekomandimi kryesor i Forescout është që sistemet e menaxhimit të frigoriferëve të mos jenë drejtpërdrejt të qasshme nga interneti. Qasja për kompanitë e mirëmbajtjes duhet të mundësohet vetëm përmes platformave të sigurta të lidhjes në distancë.
Kompania rekomandon gjithashtu:
– Zëvendësimin e pajisjeve që nuk marrin më përditësime të sigurisë.
– Eliminimin e fjalëkalimeve të përbashkëta mes kompanive kontraktuese dhe përdorimin e llogarive individuale.
– Aktivizimin e autentifikimit me shumë faktorë për qasje në sisteme.
– Mbajtjen e evidencave për personat që kryejnë ndryshime në parametrat e sistemeve
Sulmet e fundit tregojnë se edhe pajisjet që duken të zakonshme, si frigoriferët e supermarketeve, mund të shndërrohen në objektiva të sulmeve kibernetike kur lidhen me internetin pa masa të mjaftueshme sigurie.
Përveç dëmeve financiare, ndërhyrjet e tilla mund të rrezikojnë ruajtjen e sigurt të ushqimit dhe funksionimin e shërbimeve që varen nga sistemet e kontrolluara të ftohjes.