Pas ngjarjes tragjike të raportuar mëngjesin e së dielës në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku një 27-vjeçar dhe një foshnjë u gjetën pa shenja jete, Policia e Kosovës ka njoftuar arrestimin e një personi të dyshuar në lidhje me rastin, përcjell albinfo.ch.
Sipas njoftimit të fundit të Policisë, bëhet fjalë për një 65-vjeçar, i cili është babai i 27-vjeçarit të ndjerë.
Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes, dyshohet se incidenti ka ndodhur brenda familjes. I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.
Ngjarja ka ndodhur më 1 nëntor 2026, në fshatin Demiraj të komunës së Gjilanit.
Policia kishte pranuar informacionin rreth orës 08:47 se në një shtëpi dyshohej për praninë e dy trupave të pajetë, një personi të lindur në vitin 1999 dhe një foshnjeje.
Në vendin e ngjarjes kishin dalë menjëherë njësitë përkatëse policore, prokurori i shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku mjeku kujdestar kishte konstatuar vdekjen e të dy personave.
Fillimisht, rasti ishte raportuar si “vdekje e dyshimtë”, ndërsa pas veprimeve të para hetimore, Policia ka bërë të ditur se tashmë është cilësuar si “vrasje e rëndë”.
Me vendim të prokurorit të shtetit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Policia e Kosovës ka njoftuar se, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë, po vazhdojnë veprimet operative dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditura motivet e dyshuara të krimit./Albinfo.ch