Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar Ligjin për Byronë e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.
Në lexim të dytë 66 deputetë votuan pro, asnjë nuk votoi kundër e shtatë abstenuan.
Deputetja nga radhët e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili para votimit u shpreh se byroja është një “monstrum politik” pasi deklaroi se mes dy leximesh nuk janë bërë intervenimet për ta bërë të drejtë Byronë.
“Sot kjo byro nuk është ajo që do t’i luftojë peshqit e mëdhenj. Ka dy rreziqe madhore, do të përdoret si shantazh politik, por do të pengojë ndjekjen penale të atyre që realisht kanë vjedhur”, ka thënë ajo, transmeton albinfo.ch.
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri u shpreh se ligji siç është tash bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ia kishte rrëzuar Qeverisë Kurti dy herë Ligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, së pari në vitin 2024 dhe pastaj në fillim të këtij viti.