Tregtarët duhet të jenë në gjendje të përcaktojnë tarifat që aplikohen për pagesat pa para në dorë.
Këshilli Federal nisi një procedurë konsultimi lidhur me një ndryshim në ligjin kundër konkurrencës së pandershme.
Kur pagesat kryhen përmes “Twint” ose me kartë VISA apo Mastercard, tregtarët duhet të paguajnë tarifa, pasi këto shërbime u ngarkojnë atyre një komision.
Megjithatë, për tregtarët apo pronarët e restoranteve, mënyra se si llogariten këto tarifa nuk është gjithmonë plotësisht e qartë. Mund të jetë e vështirë të krahasohen shërbimet e ndryshme mes tyre dhe të lidhet një kontratë duke pasur njohuri të plota për faktet.
Komisionet duhet të jenë të detajuara
Për Parlamentin, ky përbënte një problem. Kërkohej më shumë transparencë, raporton RTS. Vitin e kaluar, ai i kërkoi Këshillit Federal të ndërmerrte veprime. Dhe sot, qeveria propozon ndryshimin e një ligji ekzistues, transmeton albinfo.ch.
Ofruesit e shërbimeve të pagesave për tregtarët, si Visa, Mastercard apo Twint, duhet të tregojnë qartë komisionet e ndryshme që aplikohen për një transaksion. Këtu përfshihen tarifa e shërbimit që paguhet nga tregtari, tarifa ndërbankare (interchange fee) dhe tarifat e vetë sistemit të pagesave, shkruan qeveria.
Sipas Këshillit Federal, paraqitja transparente e çmimit total është e mjaftueshme për të mundësuar një konkurrencë efektive. Çdo detyrim shtesë për transparencë do të përbënte “një barrë administrative, pa ndonjë dobi të vërtetuar qartë nga këndvështrimi i konkurrencës”.