Policia e Kosovës ka njoftuar se janë pezulluar nga puna 11 zyrtarë policorë për trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, që u vra ditë më parë në Vitomiricë të Pejës.
Njoftohet për suspendim të zyrtarëve përfshirë ushtruesin e detyrës së drejtorit rajonal të Pejës, shefin e hetimeve rajonale, komandantin e stacionit policor, zëvendëskomandatin, shefin e hetimeve, ushtruesin e detyrës së shefit të sektorit të operativës, komandantin e nënstacionit në Vitomiricë dhe katër hetues policorë.
“Suspendimet janë bërë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përgjegjësive individuale, në trajtimin e rastit. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave, integritetit dhe shërbimit në mënyrë të drejtë e të paanshme, si dhe do të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet relevante”, thuhet në njoftim të Policisë, transmeton albinfo.ch.