Këshilli Prokurorial i Kosovës ka suspenduar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj dhe Arlinda Nallbani Gacaferrin, prokuroren e rastit të Arlinda Zekajt.
Bëhet e ditur se ndaj tyre u hap edhe procedurë disiplinore dhe është themeluar panel hetimor për trajtimin e rastit.
Propozimi për suspendim u bë nga kryeprokurori i shtetit Zejnullah Gashi, pas rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt, i cili ka ngritur pikëpyetje për mënyrën se si institucionet e drejtësisë i kanë trajtuar raportimet dhe kërkesat e viktimës për mbrojtje.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), nën udhëheqjen e Kryesuesit, z. Arian Gashi, mbajti sot një takim të jashtëzakonshëm, në të cilin shqyrtoi kërkesën e Kryeprokurorit të Shtetit, z. Zejnulla Gashi, për fillimin e procedurës disiplinore ndaj Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, znj. Lumturije Vuçetaj, dhe Prokurores së rastit, njëherësh koordinatore për rastet e dhunës në familje, znj. Arlinda Nallbani-Gacaferri. Pas shqyrtimit të kërkesës së autoritetit kompetent (Kryeprokurorit të Shtetit), Këshilli Prokurorial i Kosovës, vendosi të themelojë panel hetimor për trajtimin e rastit, si dhe miratoi propozimin për suspendimin e të dy subjekteve të hetimit, ndaj të cilave kërkohet zhvillimi i procedurës disiplinore. Vendimet e Këshillit Prokurorial të Kosovës, janë marrë në bazë të të gjeturave nga raporti me numër reference A.Nr. 379/2026, e të paraqitura në kërkesën për fillim të hetimit disiplinor nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, që ndërlidhet me rastin e vrasjes së A. Z. Gjithashtu, Këshilli Prokurorial mori vendim që të caktojë për Ushtruese të Detyrës së Kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Pejë, znj. Valbona Disha-Haxhosaj”, thuhet në njoftimin e KPK-së, transmeton albinfo.ch.