Skip to content

Qeveria themelon Grupin punues për hartimin e strategjisë shtetërore për proceset e Apelit në Hagë

Glauk Konjufca, kryesues i grupit që do të përgatisë strategjinë shtetërore për çlirimtarët në shkallën e Apelit

Qeveria e Kosovës ka themeluar Grupin punues për hartimin e strategjisë shtetërore për proceset e Apelit në Hagë, me synimin e koordinimit të angazhimit institucional në fazën e ardhshme të procedurave gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Kryeministri Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë, e cilësoi aktgjykimin e shkallës së parë si të padrejtë juridikisht dhe moralisht, duke pretenduar se ai përmban pasaktësi faktike dhe historike.

Sipas tij, përpjekjet duhet të përqendrohen në korrigjimin e aktgjykimit përmes procedurave të Apelit.

Kurti theksoi se procesi kërkon një strategji shtetërore dhe kombëtare, e cila do të tejkalonte dallimet partiake dhe do të bashkërendonte institucionet rreth një qëllimi të përbashkët.

Grupi punues do të kryesohet nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ndërsa do të përfshijë përfaqësues institucionalë dhe parlamentarë.

Sipas Kurtit, detyra e këtij grupi do të jetë bashkërendimi i mbështetjes juridike, institucionale dhe diplomatike në funksion të procedurave të Apelit.

Kryeministri tha se themelimi i grupit konkretizon zotimin e Qeverisë për t’u angazhuar, brenda mjeteve që ka në dispozicion, në mbështetje të procesit gjyqësor dhe në mbrojtje të asaj që ai e cilësoi si të vërtetë historike të luftës çlirimtare të Kosovës./Albinfo.ch.