Komuniteti shqiptaro-amerikan ka njoftuar për një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, transmeton albinfo.ch.
Sipas njoftimit, takimi do të organizohet në Bronx të Nju Jorkut, më 19 shtator, duke filluar nga ora 16:30.
Ky takim pritet të mbledhë pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilët do të kenë mundësinë të takohen nga afër me kryeministrin e Kosovës.
Qëndrimi i Kurtit në SHBA zhvillohet në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila zhvillon punimet gjatë muajit shtator në Nju Jork.
Vizitat dhe takimet me komunitetin shqiptar në SHBA kanë qenë pjesë e rëndësishme e angazhimeve të përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës gjatë qëndrimeve të tyre në Shtetet e Bashkuara. /Albinfo.ch
