Kosova

Dogana e Kosovës me njoftim për blerësit online: Lirim nga detyrimet deri në 35 euro

Dërgesat me mallra me vlerë të vogël nga jashtë Kosovës mund të përfitojnë nga lirimi doganor, por ka kategori produktesh që përjashtohen.

Dogana e Kosovës ka njoftuar qytetarët që kryejnë blerje online nga jashtë vendit se dërgesat me mallra me vlerë deri në 35 euro mund të përfitojnë nga lirimi nga detyrimet e importit, përcjell albinfo.ch.

Sipas Doganës, ky përjashtim vlen për dërgesat që dërgohen drejtpërdrejt nga një vend jashtë Kosovës te pranuesi në territorin doganor të Republikës së Kosovës.

Kusht është që vlera e përgjithshme e mallrave në secilën dërgesë të mos e tejkalojë shumën prej 35 eurosh, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Megjithatë, nga ky lirim nuk përfitojnë produktet alkoolike, parfumet dhe ujërat e tualetit, si dhe duhani dhe produktet e duhanit.

Dogana ka bërë të ditur se rregulli zbatohet për dërgesat që plotësojnë kushtet e përcaktuara me legjislacionin doganor./Albinfo.ch