Lajme

Përfshihet nga zjarri një kamion në autostradën A1 në Zvicër, bllokohet qarkullimi

Një kamion është përfshirë nga zjarri të hënën pasdite në autostradën A1, mes La Sarraz dhe Cossonay, në kantonin Vaud. Për shkak të incidentit, një pjesë e autostradës u mbyll përkohësisht në të dyja drejtimet.

Zjarri shpërtheu ndërsa kamioni ishte duke lëvizur në autostradën A1. Për momentin, rrethanat e sakta të incidentit dhe gjendja e drejtuesit të mjetit nuk janë bërë të ditura.

Autostrada u mbyll në të dyja drejtimet pranë daljes së Cossonay. Sipas policisë kantonale të Vaudit, rreth orës 18:00, qarkullimi në drejtim të Lozanës dhe Yverdonit u rikthye, pasi zjarri u shua.

Në drejtimin e kundërt, aktualisht është e hapur vetëm njëra korsi për qarkullim.

Autoritetet vijojnë të punojnë në vendngjarje, ndërsa informacionet për shkaqet e zjarrit dhe pasojat e incidentit pritet të bëhen të ditura më tej.