Kosova

Kurti i dorëzon flamurin ekipit të Kosovës për Lojërat Mesdhetare Taranto 2026

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka dorëzuar flamurin shtetëror ekipit që do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, që do të mbahen në Itali.

Gjatë ceremonisë, Kurti u shprehu mbështetje sportistëve kosovarë, duke theksuar se pas çdo medaljeje, fitoreje dhe ngritjeje të flamurit të Kosovës në arenat ndërkombëtare qëndrojnë vite pune, sakrifice, disipline dhe përkushtimi.
“Sportistët tanë kanë dëshmuar se, pavarësisht madhësisë së vendit, mund të kemi rezultate të mëdha”, tha Kurti, duke vlerësuar sukseset e sportistëve kosovarë në garat ndërkombëtare.
Ai theksoi se pjesëmarrja në Lojërat Mesdhetare përbën një mundësi të re për një brez të ri sportistësh që ta përfaqësojë Kosovën përmes talentit dhe punës së tyre.
Kurti tha se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë ta mbështesë sportin, duke e konsideruar atë investim në të rinjtë, shëndetin e shoqërisë dhe imazhin ndërkombëtar të vendit.

Kryeministri në detyrë falënderoi trajnerët, federatat sportive, Komitetin Olimpik të Kosovës dhe familjet e sportistëve për kontributin dhe sakrificën e tyre.
“Kur të hyni në arenat e Tarantos, do të jeni aty si sportistë të Kosovës, por edhe si ambasadorë të vendit tuaj. Ballafaqohuni për Republikën e Kosovës me dinjitetin që e meriton”, u shpreh Kurti.

Ai u ka uruar sportistëve suksese në garat e Tarantos, duke shprehur shpresën që ekipi i Kosovës të rikthehet me krenari, përvoja të reja dhe sa më shumë medalje.