Futboll

Talenti shqiptar Leart Alija në prova te Austria Wien

Mesfushori 14-vjeçar nga KF Kumanova do të kalojë 10 ditë në testim te një nga klubet më të njohura të Austrisë.

Një tjetër talent shqiptar po synon të bëjë hapin e madh drejt futbollit evropian. Leart Alija, futbollist i gjeneratës 2012 te KF Kumanova, ndodhet në prova te klubi i njohur austriak Austria Wien, transmeton albinfo.ch.


Mesfushori organizativ nga Orizarja e Komunës së Likovës do të qëndrojë për
10 ditë nën mbikëqyrjen e stafit teknik të klubit vjenez, ku do t’u nënshtrohet testeve fizike, teknike dhe taktike.

Learti njihet për vizionin e tij në lojë, pasimet e sakta dhe goditjet e rrezikshme nga distanca, cilësi që kanë tërhequr vëmendjen e Austria Wien.

Gjatë qëndrimit në Austri, ai do të marrë pjesë edhe në ndeshje miqësore, ku do të ketë mundësinë të dëshmojë potencialin e tij dhe të bindë trajnerët e klubit për një hap të rëndësishëm në karrierën e tij futbollistike.

Për talentin e ri nga KF Kumanova, kjo përbën një mundësi të rëndësishme për t’u afirmuar në një nga akademitë më të njohura të futbollit austriak. /Albinfo.ch